Ministria e Drejtësisë deklaron se dosja e shtetasit Arben Frroku është dorëzuar ditën e sotme nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme dhe po administrohet nga drejtoria përkatëse pranë Ministrisë së Drejtësisë.
“Referuar procedurave të parashikuara në ligj, materiali prej rreth 120 faqesh po përkthehet dhe pritet të dorëzohet pranë autoriteteve hollandeze brenda mesit të javës së ardhshme”, thuhet në njoftimin për shtyp.
Ministrai e Drejtësisë sqaron se pas dorëzimit të kërkesës janë autoritetet hollandeze që do ta shqyrtojnë dhe do të marrin vendimin mbi miratimin ose jo të ekstradimit.
Pasaporta fallso
Zbulohet pasaporta fallso që përdorte i dënuari me burgim të përjetshëm Arben Frroku në Hollandë. Boldnews.al ka siguruar një foto ekskluzive të pasaportës greke e cila mban emrin e shtetasit shqiptar Renato Tsepa, i datëlindjen 15 nëntor 1967.
Kjo pasaportë është paraqitur nga i dënuari Arben Frroku sapo ai ka hyrë në territorin e Hollandës. Por zyra e emigracionit ka dyshuar se dokumenti i identifikimit është i falsifikuar dhe për këtë arsye ka kryer shoqërimin e të dyshuarit që prej datës 6 mars.
Arrestimi i të shumëkërkuarit Arben Frroku në Holandë, i dënuar përjetë për vrasjen e komisar Dritan Lamaj është shoqëruar me pikëpyetje të mëdha. Ishte ish-kryeministri Sali Berisha i cili gjatë një emisioni televiziv deklaroi se Frroku ishte ndaluar në Amsterdam.
Në një shkrim të mëparshëm, Boldnews.al mësoi nga burime diplomatike se pas deklaratave të ish kryeministrit Berisha, kancelaritë e Beneluksit në Tiranë në bashkëpunim me autoritetet holandeze kanë qënë në komunikim të vazhdueshëm me Interpol Tirana në 48 orët e fundit.
Kjo ka sjell konfirmimin se i ndaluari Renato Tsepa ishte i dënuari me burgim të përjetshëm Arben Frroku.
Boldnews.al ngriti dyshime gjithashtu se shenjat e gishtërinjëve të të dënuarit Arben Frroku mund të mos kenë qënë në sistemin ndërkombëtar dhe për këtë autoritetet hollandeze kanë vonuar për rreth dy muaj identifikimin e tij.
Në tre vitet e fundit, çdo gjë që ka pasur lidhje me vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, ky i fundit deputet deri sa u arrestua si autor i dyshuar i një vrasjeje në Belgjikë, është shoqëruar me polemika të forta lidhur me rolin e Policisë së Shtetit në informacionin për ata. / Boldnews.al