Walter Zenga ka deklaruar në një intervistë për Panorama Sport se fjalët e tij për trajnerin Gianni De Biasi janë deformuar në Itali. Ish-portieri i Italisë, aktualisht trajner në Emiratet e Bashkuara Arabe, u citua të kishte thënë se De Biasi do të bëhej trajneri i të kaltërve pas Euro 2016. I pyetur nga Panorama Sport për vërtetësinë e informacionit, Zenga shprehet ndryshe.
“Nuk e kam thënë këtë. Më pyetën gazetarët italianë dhe më thanë nëse isha gati të merrja drejtimin e Italisë. U thashë që nuk jam gati, sepse nuk kam as curriculum-in gati për një nismë të tillë. Më pas ata më pyetën se cili mund të ishte sipas meje njeriu i duhur dhe unë iu përgjigja tekstualisht: “Për mendimin tim e meriton De Biasi. Për atë që ka bërë me Shqipërinë, por edhe për eksperiencën që ka”. Vetëm kaq. Nuk kam asnjë shans unë të përcaktoj se kush do të jetë trajneri i Italisë në të ardhmen, për arsyen e thjeshtë se nuk kam asgjë në dorë”, sqaron Zenga.
“Njeriu Merimangë” shton se një deklaratë të tillë e ka bërë nisur nga vlerësimi që ka për De Biasin dhe punën që ka bërë me Shqipërinë.
I pyetur nëse mund ta merrte në konsideratë Shqipërinë pas largimit të De Biasit, Zenga, aktualisht te Al Shaabab, thotë: “Ju keni një zotëri trajner, i cili me sa di unë ka bërë me Shqipërinë atë që nuk e ka bërë askush. Ai është trajneri në detyrë dhe unë kurrsesi nuk mund të flasë për rrethana hipotetike. E përsëris, De Biazi është një zotëri trajner dhe ka bërë një punë të jashtëzakonshme me përfaqësuesen tuaj”.