Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier kritikoi paralajmërimin e kandidatit republikan për president të SHBA-së, Donald Trump lidhur me politikën e ardhshme të jashtme amerikane.
Të mërkurën, gjatë një fjalimi elektoral, Trump paralajmëroi se nëse zgjidhej president, atëhere vendi do të drejtohej nga parimi “Amerika e para” duke lënë Evropën dhe Azinë që t’i zgjidhnin vetë çështjet e tyre.
“Arkitektura e sigurisë botërore ka ndryshuar… dhe kjo nuk mund të zbatohet në mënyrë unilaterale”, deklaroi Steinmeier duke komentuar parimin e Trumpit “Amerika e para”.
“Asnjë president amerikan nuk mund ta ndërpresë ndryshimin e arkitekturës të sigurisë botërore pasi ‘Amerika e para’ nuk është përgjigje për problemet e botës”, vlerësoi shefi i diplomacisë gjermane.
Sipas tij, fjalimi i Trumpit është kontradiktor sepse nga njëra anë ai bën thirrjen “Amerika e para” ndërsa nga ana tjetër kërkon që SHBA-ja të tërhiqet nga zgjidhja e problemeve botërore.