Jozefina Topallit dhe Astrit Patozit, duket I’u ka kushtuar shtrenjtë “rebelimi” dhe oponenca ndaj kryetarit të PD-së, Lulzim Basha. Në listën e hartuar nga Basha për emërimin e drejtuesve të rinj të PD-së në qarqe, emrat e Patozit dhe Topallit nuk figurojnë fare, ndonëse gjatë zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 këta të dy drejtonin 2 qarqe shumë të rëndësishme në vend siç janë Shkodra dhe Vlora. Kundërshtit e tyre, që lidhen kryesisht me mënyrën e drejtimit të PD-së nga Basha, duket se nuk janë gëlltitur lehtazi nga ana e këtij të fundit. Ndonëse Patozi dhe Topalli e gjykojnë në këndvështrime të ndryshme mënyrën e drejtimit të PD-së nga kreu aktual, gjithësesi, oponenca e tyre, sidomos në publik, nuk është kaluar pa u vënë re nga Basha. Që në fillim të herës Patozi ka kontestuar legjitimitetin e zgjedhjes së Bashës në garën përballë Olldashit për në krye të PD-së. Ndërsa Topalli, ka qenë kryesisht kontestuese e linjës së Bashës, duke kërkuar radikalizim, gjë që ndonse nuk ka pas mbështetje brenda PD-së, gjithësesi ka qenë një pikë konfrontimi e vazhdueshme në raportet e saj me Bashën.
Por ndërkohë lista e drejtuesve të PD-së në qarqe ka pësuar jo pak ndryshime edhe sa i përket figurave qëndrore të PD-së. Ajo që bie në sy është fakti se sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ikën nga drejtimi i qarkut të Vlorës ku është zgjedhur edhe si deputet dhe kalon në Shkodër, duke zëvendësuar Topallin. Zëvendësuesi i Ristanit në Vlorë do të jetë Arben Imami që ikën nga Elbasani në Vlorë. Në vendin e lënë bosh në Elbasan nga Imami shkon Edmond Spaho. Ndërsa Edi Paloka dhe Eduard Halimi, ruajnë pozicionet e tyre për të drejtuar përkatësisht qarqet e Tiranës dhe Durrësit.
Por ajo që bie në sy janë edhe një sërë lëvizjesh të tjera në qarqe ku Genc Ruli shkon në Korçë, duke zëvendësuar Ridvan Boden, i cili shkon në Berat, ndërsa Genc Pollo nga Berati katapultohet në Fier. Në Qarkun e Gjirokastrës të lënë bosh nga Genc Ruli shkon Tritan Shehu, ndërsa Gent Strazimiri zëvendëson Shrefedin Shehun në Qarkun e Dibrës. Nga ana tjetër, Flamur Noka dhe Aldo Bumçi, ruajnë pozitat e tyre në krye të drejtimit të qarqeve, Kukës dhe Lezhë.
(javanews.al) Me. Ar