Kthimi nga Serbia i Sejdi Thaçit, që figuronte si i zhdukur, ringjalli shpresat e shumë familjarëve, të cilët kanë anëtarët e tyre të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë.
Mirëpo, vetëm një ditë pas deklarimit të familjarëve të tij se ai mban mend edhe të tjerë të zhdukur që ishin me të, vetë Sejdi Thaçi doli para medieve dhe demantoi se ishte një i zhdukur.
Në intervistën dhënë për medie ai ka thënë se kishte shkuar vullnetarisht për të rregulluar dokumentacionin e pensionit.
Sejdi Thaçi ka thënë se kur ka shkuar në Serbi gjendja në Kosovë nuk ka qenë e mirë. Ndërsa gjatë ditës institucionet e vendit kanë heshtur ndaj këtij rasti.
Komisioni Qeveritar ka konfirmuar se të pagjetur ekzistojnë 1 mijë e 666 persona, ndërsa në mesin e të zhdukurve figuronte edhe Sejdi Thaçi nga Klina.
Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjetaj, ka thënë për medie se nuk janë ngutur me rastin pa u verifikuar mirë, derisa ka pranuar se kjo ka rritur shpresat e familjarëve që kanë të afërm të zhdukur se ata mund t’u kthehen të gjallë.
Për Thaçin nga familjarët dhe Komisioni Qeveritar u tha se gjendja e tij shëndetësore ishte jo e mirë, ndërsa ai (Sejdi Thaçi), sipas tyre, “nuk di të tregojë se ku ka qenë dhe ku ka qëndruar. Ka treguar vetëm se ka ardhur nga Mitrovica me një taksi deri në fshatin ku ka jetuar”.