Garda e Republikës ka sqaruar sot lajmin se ky institucion ka qenë i detyruar të përdorë armët kundër civilëve më 21 Janar. Gjatë ditës së sotme, mediat vendase raportuan se ky qëndrim i gardës vazhdon të mbetet i njëjtë në procesin gjyqësor, edhe pse sot Garda është nën drejtimin e qeverisjës socialiste.
Por Garda sqaron se në zbatim të legjislacionit procedurial në fuqi ka parashtruar përpara Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, prapësimet në lidhje me çështjen me objekt:
“1. Detyrimin e palës së paditur të paguaj në favor të paditësve shpërblimin e dëmit të plotë pasuror dhe jo pasuror, biologjik, moral ekzistencial, për humbjen e jetës së të ndjerit Ziver Veizi, i vrarë më 21 janar 2011 në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, përpara Kryeministrise. Dhe 2. Dhenien e vendimit të gjykates me ekzekutim të përkohshëm”
Prapësimet e Gardës së Republikës, në përputhje me përcaktimet proceduriale, janë të ndara në disa pjesë:
1- Proçedura e ndjekur nga pala paditëse.
2- Masat e marra nga Kryeministri i vendit,për vlerësimin e dëmit të pësuar nga viktimat e 21 Janarit.
3- Ç`është Garda e Republikës Shqipërisë, misioni i saj.
4- Vendimi penal i Gjykatës Apelit Tiranë nr. 793 datë 18.9.2013.
5- Praktika, për ngjarje të ngjashme.
6- Komente
Institucioni në fjalë thotë se pjesët e cituara nga mediat janë marrë nga pika 4 e Prapësimeve ku Garda e Republikës ka bërë një përmbledhje të gjetjeve dhe konstatimeve të Gjykatës së Apelit Tiranë, mbi të cilat u mor vendimi për shpalljen fajtor të të akuzuarve për “Vrasje nga Pakujdesia”.
“Ato çfarë citohen, sqarojmë se janë pjesë e përmbajtjes së Vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë Nr. 793, datë 18.09.2013, dhe jo qëndrim apo konstatim i yni” – njofton Garda e Republikës.
Po sot, ministri i Brendshëm ka komentuar në Facebook.
“Pavaresisht se Garda vetem ka cituar vendimin e gjykates, dua t’i kerkoj ndjese familjareve per sado jane lenduar nga permendja e nje vendimi haptazi te padrejte! 21 Janari ishte dhe mbetet nje krim shteteror, ende i pandeshkuar!” – shkruan Tahiri.