Nga Lorenc Vangjeli
Raporti mes djersës dhe gjakut ishte raporti që justifikonte gjithçka duke nisur me sakrificën që duhej të bënte gjithë populli ushtar i asaj kohe.
Kohë më pas, kur komunistët u përmbysën, sistemi ndryshoi dhe u tentua të përmbyset një mendësi e trashëguar, edhe kjo aksiomë u neverit, por nuk u zëvendësua me asgjë më të dobishme e kapitaliste. Por nëse shihet e zhveshur nga keqpërdorimi që ju bë asaj nga diktuatura, kuptohet se në thelb ajo nuk ishte e dëmshme. Në thelb, ajo lloj aksiome ishte një mësim i madh. Që mund të përkthehet sot në shumë mënyra dhe me një listë shumë të gjatë. Për shembull ajo mund të përkthehet se duhet të mendohet për dimrin që në verë; që duhet kujdesur për përmbytjen që në kohë të thatësirës; për projektin para ndërtimit; për mbrojtjen me zjarrfikëse para se të bjerë zjarri; për kolaudimin e bombolave të gazit para se ato të shpërthejnë si bomba; për kujdesin për shëndetin që pa u sëmurur ende.
Ilir Beqja e quan Check Up.
Dhe Check Up shoqëria shqiptare duhet të bëjë për shumë e shumë probleme të përditshme, në secilën nga qelizat e jetës së saj.
Parandalim dhe jo kurim.
Kujdes para se të ndodhë vakia dhe jo “arredim” detajesh për funeralin e rradhës.
Ka disa ditë që në media po jepet lajmi që duket si rishpikje e rrotës: në Tiranë, por dhe gjetkë, qentë e rrugës dhe qentë e luksit janë kthyer në rrezik për qytetarët.
Të parët, një pjesë e vogël me “vëth” plastik ngjyrë të verdhë në vesh, kanë kaluar në duart e veterinerëve të bashkisë, por ata pa këtë “bizhu” vetëm shtohen ditë më ditë. Dhe netëve bëhen veçanërisht të frikshëm dhe të rrezikshëm kur tufa-tufa bëhen padronë të rrugëve. Kush e ka provuar të jetë i kafshuar nga ta, e di mirë se në çfarë kalvari sikleti kalon më pas për ditë të tëra.
Të dytët, qentë e luksit, tashmë numërojnë në rradhët e tyre edhe “përbindsha” të vërtetë që mund të shkaktojnë deri dhe dëmtime fatale. Herë vrapojnë pas të zotit, herë para tyre, por në shumicën dërmuese të rasteve të palidhur dhe pa maskë në gojë. Vetëm fati mund t’i shpëtojë kalimtarët që kalojnë pranë tyre nëse qeni vendos të ndjekë instiktin: të kafshojë pa lehur për paralajmërim. Por nëse e bëjnë, pra, nëse kafshojnë dhe njeriu viktimë ja kthen me të njëjtën monedhë, kafshon qenin, atëherë ky është një lajm i vërtetë. Kjo vlen edhe në rastin kur qeni qëllohet me armë, siç ndodhi këtë javë, kur instikti kafshues dhe qeni bashkë me të, u ekzekutuan me kallashnikov.
Historia e zakonshme e diktuar nga natyra: qeni kafshon dhe njeriu duhet të marrë masa që të mbrohet, nuk është lajm. Njëlloj siç nuk është lajm mungesa dëshpëruese e paramendimit të shoqërisë shqiptare që refuzon të merret me shkakun, por nxiton të kurojë gjithmonë pasojën. Që ngre zërin vetëm kur ndodh e keqja, por nuk merr asnjë masë për ta parandaluar atë. Që nuk mendon kurrë për dimrin dhe përmbytjen gjatë thatësirës së verës dhe që për mjekun e Perëndinë kujtohet vetëm kur sëmundja i ka vënë poshtë dhe kërkojnë ta shërojnë me ilaçe dhe lutje. Njëlloj si politika që kujtohet për ligjin elektoral, fjala vjen, kur vijnë zgjedhjet e rradhës për të bërë premtimet magjike të rradhës. Komunistët dje e bënin me pahir: flisnin vetëm për luftën edhe në pikun e paqes. E kujtonin atë edhe atëherë kur askush dhe askurrë nuk kishte ndonjë ide që të sulmonte me desantë nga ajri, me marinsa nga deti dhe këmbësorë nga toka, atdheun e shqiponjave që mbrohej edhe nga zborsitët e djersitur.
Eshtë universale: të parandalosh me Check Up në fillim është më mirë se të kurosh me mjekë më pas. Të kujdesesh për dhembjen është më e thjeshtë se të fshih lotët e hidhur të pendesës. Kjo nuk është shpikje komuniste, është urti dhe eksperiencë njerëzore. E kundërta, ajo që ndodh gjithmonë në Shqipërinë e spontanitetit budalla që në çdo të sotme nuk mendon dot përtej të nesërmes, rrezikon ta bëjë jetën e qytetarëve t’i ngjajë zborit të dikurshëm të komunistëve. Gjithmonë në vrap për të qenë larg pushtetit të qenve të rrugës.