Eshtrat e poetit kilian dhe laureatit të Nobelit Pablo Neruda, të cilat në vitin 2013 janë zhvarrosur për të përcaktuar nëse ai u vra nga agjentët e diktatorit Augusto Pinochet, janë ri-varrosur sërish, referuar agjencisë së lajmeve AFP, cituar nga BETA.
Arkivoli me eshtrat e njërit prej poetëve më të mëdhenj të Amerikës së Jugut janë transferuar këtë mëngjes (të mërkurën) nga kryeqyteti Santiago në Isla Negru, vendit të fundit të banimit të tij, ku edhe janë varrosur.
Pablo Neruda, i cili vdiq në vitin 1973, përsëri do të qëndrojë në kopshtin e vilës së tij në bregdetin e Paqësorit, pranë gruas së tij Matilde Urutije.
Pas një beteje të gjatë ligjore, trupi i tij u zhvarros në prill të vitit 2013 për të përcaktuar rrethanat në të cilat ai vdiq, dhe rezultatet e analizave ende nuk kanë dhënë një përgjigje definitive për këtë pyetje.
Sipas raportit zyrtar të vdekjes, të lëshuar nga junta ushtarake, poeti ka vdekur nga kanceri i prostatës disa ditë pas shpërthimit të grushtit të shtetit në vitin 1973.
Shoferi i Nerudës, Manuel Araya, deklaroi se shkrimtari, i cili ishte një mbështetës i Partisë Komuniste, i ishte injektuar injeksion vdekjeprurës një ditë para udhëtimit për në Meksikë, ku ai synonte të shkonte në një eksil vullnetar për të menaxhuar aktivitetet kundër Pinoçetit.
Një ekip i ekspertëve spanjollë kanë zbuluar në maj të vitit 2014 praninë e mbetjeve të sasisë të madhe të baktereve Stafilokok, të cilat ka të ngjarë t’i kenë injektuar agjentët e juntës ushtarake. Rezultatet përfundimtare të analizave të fundit duhet të bëhen në maj, kur procedura do të ndërpritet zyrtarisht.
Neruda, i cili në vitin 1971 fitoi Çmimin Nobel për letërsi, është shumë i njohur për poezitë e tij të dashurisë.
Ai, gjithashtu, ishte politikan i majtë dhe diplomat dhe mik i ngushtë i presidentit socialist Salvador Allende, i cili vrau veten në mënyrë që të mos binte në duart e atyre që kryen grusht shteti ushtarak më 11 shtator 1973, drejtuar nga gjenerali Pinochet.