Dëshmitë e ndryshme ndaj Emiljano Shullazit do të jenë të vlefshme në gjyq, pavarësisht tërheqjes së dëshmitarëve që i kanë dhënë ato. Disa prej tyre janë tërhequr dhe madje e kanë mohuar që të kenë folur ndonjëherë për Shullazin.
Burime të Prokurorisë kanë thënë për gazetën Panorama se pavarësisht deklaratave në media apo në organe të tjera publike, personat që janë marrë në pyetje në lidhje me çështjen, kanë firmosur procesverbalet e thënieve të tyre ku deklarojnë vërtetësinë e pohimeve që kanë bërë. Ata, sipas akuzës, janë pyetur sipas rregullave e ligjeve, ku kanë dhënë faktet e rrethanat që dinë me vullnetin e tyre të lirë.
Pavarësisht këtij fakti, Prokuroria deklaroi se akuza e gjobëvënies është një vepër penale që hetohet edhe me iniciativë apo kryesisht nga ana e policisë dhe organit të akuzës, pa pasur kallëzim nga i dëmtuari.
Burimet e organit të akuzës kanë thënë se deri më tani nuk ka pasur deklarime të ndryshuara nga ana e personave, të cilët kanë bërë denoncim. Por, nga ana tjetër, Shërbimi Informativ dhe Prokuroria kanë siguruar të dhëna në rrugë operative në lidhje me kërcënimet ndaj disa biznesmenëve kundrejt dhënies së shumave apo pasurive të ndryshme.
BIZNESMENËT
I vetmi që ka dhënë dëshmi në polici në lidhje me akuzat për kanosje për dhënie të pasurisë ndaj Emiljano Shullazit ka qenë biznesmeni Jani Zaka. Ai ka denoncuar në Polici dhe Prokurori në shkurt 2016 dhe më pas ka ikur nga Shqipëria.
Biznesmeni ka lënë një dëshmi ku thotë se ka pasur kërcënime dhe kërkesa për ta hedhur në emër të Shullazit parkingun prej 1200 m2 që ka në pronësinë e tij te “21 Dhjetori”.
Prokuroria ka marrë informacione në rrugë operative në lidhje me vendosje të dyshuara gjobash edhe ndaj tre biznesmenëve të tjerë në Durrës dhe Tiranë nga grupi i Shullazit. Mirëpo, këta biznesmenë nuk kanë bërë asnjë denoncim në Polici në lidhje me këto akuza. Po kështu, ata janë ftuar nga Prokuroria për të dhënë deklarime, por nuk kanë pranuar të jenë gjobitur nga ana e Emiljano Shullazit.
Edhe pse nuk ka kallëzime apo dëshmi nga biznesmenët që dyshohet se u janë vendosur gjoba, Prokuroria tha se i ka përqendruar hetimet në gjetjen e provave që faktojnë këto raste, pavarësisht mungesës së kallëzimit penal apo dëshmisë së të dëmtuarve.
Panorama