Ushtarakëve që rezultojë debitorë si pasojë e rillogaritjes së pensioneve suplementare, do iu kthehen paratë e paguara, shkruan Gazeta Shqiptare. Bëhet fjalë për shumat që iu janë mbajtur nga muaji dhjetor i vitit 2010 e deri më tani, të cilat do të kthehen në masën 100%. Gjithçka përcaktohet në projektligjin “Për faljen e detyrimeve që kanë ish-ushtarakët në skemën e pensioneve suplementare nga rillogaritja e pensioneve”, i cili pësoi një ndryshim nga propozimi paraprak. Kjo pasi, në versionin e parë, miratuar në qeveri, nuk parashikohej kthimi i parave, por vetëm falja e debive të mbetura për këtë kategori, krijuar nga rillogaritja e pensioneve suplementare.
Ndërkaq, projektligji është miratuar nen për nen në Komisionin e Ekonomisë ditën e djeshme, duke i hapur rrugë miratimit të tij në seancën plenare të së enjtes. “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë projektligjin, me ndryshimet e bëra në nenin 1, ku gjithashtu saktësohet se paratë do të kthehen brenda 1 viti nga hyrja në fuqi.
Në ligj shtohet edhe një nen i ri, i cili i kërkon Këshillit të Ministrave miratimin e akteve nënligjore për zbatimin e tij, pasi sipas nëndrejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini, “ka efekte financiare”.
Falja & kthimi i parave
Kthimi i parave për ushtarakët debitorë u propozua një javë më parë, nga relatorja e projektligjit, Antoneta Dhima, gjatë diskutimit në Komisionin parlamentar të Ekonomisë. Propozimi mori përkrahjen e deputetëve dhe ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, duke i hapur rrugë riformulimit të nenit. “Duke qenë se legjislacioni ka qenë jo i qëndrueshëm dhe me efekte prapavepruese, por edhe zbatimi i tij ka pasur problematika administrative, Këshilli i Ministrave kërkon faljen e detyrimeve debitore për ish-ushtarakët. Deri në fund të muajit shkurt 2016 janë 5425 ushtarakë debitorë, me një shumë detyrimi për t’u shlyer prej 985 milionë lekësh.
Nga viti 2010 deri në shkurt 2015 janë shlyer 369 milionë lekë. Propozoj që shuma e detyrimeve debitore prej 985 milionë lekësh si dhe shuma e cila është ndarë në 369 mln lekë, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, t’u kthehet ish-ushtarakëve”, – u shpreh Dhima para një jave.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Erion Braçe kërkoi adresimin e kërkesës së relatores së projektligjit, me qëllim zgjidhjen përfundimtare të problemit. “Relatorja e komisionit ngriti një çështje që ka të bëjë me debitë e paguara deri tani për një kategori tjetër ish-ushtarakësh. Ne do të donim që kjo çështje të adresohej përfundimisht, me qëllim që të zgjidhet njëherë e mirë e të vendosen të gjithë në pozitë të barabartë. Ky është një ligj që rregullon një padrejtësi, me veprime politike të njëpasnjëshme të ndërmarra nga qeveria e Sali Berishës, ashtu siç synon të korrigjojë përfundimisht çështjet e mosveprimit të administratës. Kështu që do të donim që e gjithë fasha të përfshihet në rregullimet e këtij ligji dhe natyrisht të gjithë të përfitojnë nga falja e detyrimeve të krijuara si pasojë e këtyre dy veprimeve”, – u shpreh Braçe.
Ndërkaq, propozimi për kthimin e debive të paguara deri më tani u përkrah edhe nga ministri, Blendi Klosi. “Do shqyrtojmë kërkesën që vjen nga Komisioni i Ekonomisë, por në parim ne jemi dakord, pasi kështu zgjidhim përfundimisht një problem shumë të madh. Këtë e themi me bindje, pasi i kemi mundësitë financiare, sepse po bëjmë reforma në këtë sistem dhe ky sistem do të ofrojë më shumë mundësi financiare. Për rikthimin e vlerës të atyre debitorëve që kanë ardhur si pasojë e keqqeverisjes ne shprehemi dakord”, – u shpreh Klosi.
Sipas këtij projektligji parashikohet falja e debive të 5.425 ushtarakëve, të cilëve çdo muaj iu mbahet një pjesë e pensionit si pasojë e rillogaritjes së tij. Nga pensionet e rillogaritura për mbi 20 mijë ushtarakë u evidentuan 6.738 debitorë ose 35% e ushtarakëve me një shumë 1.3 miliardë lekësh, ndërkohë që falja e detyrimit synon të zgjidhë problematikën shumëvjeçare që është krijuar me këtë kategori si pasojë e ndryshimeve të shumta ligjore.
BW