Fitorja e bllokut nacionalist në të cilin përfshihen edhe Partia Radikale dhe Dveri, pritet t’i shtojë orekset e Listës serbe për kërkesa maksimale ndaj Qeverisë së Kosovës.
Që prej nisjes së fushatës parazgjedhore e cila u shtri edhe në Kosovë, Lista Serbe, që është në koalicion me qeverinë Mustafa, ka shprehur haptas bindjen se presin që Serbia t’i rregullojë problemet e tyre në Kosovë, shkruan Koha Ditore.
Njohës të rrethanave politike kanë thënë se Lista Serbe vazhdimisht do ta sfidojë nga brenda shtetin e brishtë të Kosovës.
“Lista Serbe është ‘kali Trojës’ që gërmon vazhdimisht shtetin e brishtë jo vetëm për koalicionin por edhe për Bashkësinë e komunave me shumicë serbe, deri në momentin e caktuar kur të dalin në sipërfaqe kërkesat e tjera të Serbisë dhe serbëve, të cilat do t’i arsyetojnë me referendume”, ka thënë analisti Belul Beqaj.