Partizani rimerr kryesimin, të paktën përkohësisht, deri në përfundimin e takimit të sotëm mes Tiranës dhe Skënderbeut, përmbyllës i javës së 31-të të Kategorisë Superiore. Të kuqtë kanë fituar me rezultatin 1-0 në transfertën ndaj Kukësit, në një ndeshje të vendosur “in-extremis” falë golit të bomberit Xhevair Sukaj. Një ndeshje e vendosur sa nga goli i Sukajt, po aq edhe nga penalltia e pritur nga portieri rezervë i Partizanit, Xhika i cili u fut në lojë pas ndëshkimit të kapitenit Alban Hoxha me karton të kuq. Falë kësaj fitore, skuadra e Partizanit merr kryesimin, të paktën përkohësisht, duke kryesuar me dy pikë ndaj Skënderbeut që pritet të ndeshet me Tiranën.
Deçizive ishte kjo javë edhe për fundin e klasifikimit. Ndonëse beteja mbetet më e hapur se kurrë në garën për mbijetesë, sot u vendos një shkëmbim vendesh në zonën e ftohtë mes Bylisit dhe Flamurtarit. Vlonjatët, të mundur në transfertë ndaj Vllaznisë me rezultatin 2-1, janë pozicionuar në vend të parafundit të klasifikimit, me 28 pikë. Po aq pikë numëron tashmë edhe skuadra e Bylisit e cila fitoi në shtëpi ndaj Laçit me rezultatin 1-0, për të marrë frymë si superiore, teksa renditet në vend të tetë, me pikë të barabarta me Flamurtarin.
Skuadra e Teutës ka bërë detyrën teksa në transfertë ndaj Tërbunit ka fituar me rezultatin 4-1. Një goleadë që duke përfituar edhe nga humbja e Kukësit, i ka shërbyer ekipit durrsak në garën për vendin e tretë, teksa tashmë renditet aty me pikë të barabarta me verilindorët, që sot regjistruan humbjen e parë pas dhjetë rezultatesh pozitive. / telesport