Procesit të 21-Janarit duke se i ka ardhur fundi. Gjykata e Lartë refuzoi rekursin e Prokurorisë e cila kishte kërkuar dënimin me 23 vite burg për Ndrea Prendin dhe 25 vite për Agim Llupon.
Vendimi është marrë pas 3 vitesh që çështja ishte për shqyrtim në Dhomën e Këshillimit.
Vendimi bëhet me dije nga burime nga Gjykata e Lartë, por ende nuk ka një konfirmim zyrtar.
Kolegji Penal i gjykatës është mbledhur të premten ndërsa vendimi është marrë të hënën paradite.
Kolegji Penal, i përbërë nga Edmond Islamaj, Artan Zeneli, Aleksandër Muskaj, Guxim Zenelaj dhe Shkëlzen Selimi lë kështu në fuqi vendimin e gjykatës së Apelit Tiranë. Vendimi i
Apelit u dha në vitin 2013 dhe dha dënimin me një vit burgim për ish-komandantin e Gardës së Republikës, Ndrea Prendi dhe dënimin me 3 vjet burgim për ish-gardistin Agim Llupo.
Ndërkohë, shoferi i ish-komandantit, Margarit Kume u shpall i pafajshëm. Për 21 Janarin prokuroria humbi nga njëra shkallë e gjyqësorit në tjetrën, ndërsa humbja e sotme shënon mbylljen përfundimtare në sistemin gjyqësor të kësaj çështjeje të rëndë kriminale dhe me prapavijë politike.