Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), bën të ditur se, për periudhën janar-prill 2016, janë depozituar rreth 300 ankesa nga abonentët në rajonin e Elbasanit, për mbifaturimet e vitit 2016, ku përfshihet Elbasani, Gramshi, Librazhdi, Peqini dhe Përrenjasi.
Sipas OSHEE-s, gjatë të njëjtës periudhë të vitit të kaluar, (janar-prill 2015), janë depozituar 1600 ankesa për faturimin e periudhës 2007-2014. Ose krahasur me 4 mujorin e vitit 2016, numri mesatar i ankesave të depozituara për faturimin gjatë këtij 4-mujori, është 4 ankesa në ditë ose 5 herë më i ulët se 4-mujori i 2015-s.
Nëse përllogarisim numrin e faturave të lëshuara për periudhën janar-prill në rajonin e Elbasanit, rreth 317 mijë, në raport me 107 mijë abonentë aktivë që ka ky rajon, rezulton se vetëm 0.1 për qind e faturave janë ankimuar pranë zyrave të kujdesit ndaj klientit të OSHEE-së.
Lidhur me ankesat, OSHEE ka zgjidhur gati 92 për qind të numrit total të tyre depozituar në zyrat tona dhe për 20 për qind të ankesave ka kthyer përgjigje negative.
OSHEE thekson se për çdo rast të evidentuar për mbifaturim, ka marrë masa ndëshkimore ndaj lexuesve, gjithashtu ka sistemuar të gjitha rastet e konstatuara të drejta.
Nga ana tjetër, OSHEE u bën thirrje të gjithë abonentëve të cilëve u është refuzuar ankesa pas shqyrtimit e verifikimit korrekt nga ana e specialistëve tanë, të kryejnë pagesat e faturave të ankimuara, me qëllim që të mos penalizohen si debitorë ndaj kompanisë.
OSHEE i ben thirrje subjekteve politike të distancohen nga thirrjet antiligjore për refuzim të pagesave të energjisë elektrike.
Kompania OSHEE është e vendosur ta konsolidojë ligjshmërinë në konsumin e energjisë elektrike, ndaj koha kur energjia konsiderohej si një mall pa zot ka marrë fund.