SPECIALE JAVANEWS/ Prej kohësh në Tiranë po bien këmbanat për qentë pit bull, të cilët duket se po shndërrohen në vrasës publik. Pas incidententit më të fundit sot tek Bërryli me një qen Pit Bull, i cili iu sul një fëmije, duket se shqetësimi ka rritur në kulm. Qentë e mëdhenj të racës pit bull, i cili vlerësohet si një racë e rrezikshme për njerëzit, janë shtuar jo pak në Tiranë. Qentë pit bull shëtisin lirisht me të zotët e tyre rrugëve të kryeqytetit, madje i sheh deri dhe në ambiente publike. Gjatë viteve të fundit moda për të mbajtur një qen pit bull duket se është kryefjala e stilit të të jetuarit. Sipas psikologëve, pronarë të pit bull-ëve janë persona që duan t’i përkasin një grupimi të caktuar social ose duan të fshehin komplekset e inferioritetit. Sipas tyre, meshkujt, veçanërisht gjatë moshës së adoleshencës, kanë nevojë të ndihen të forte, duke mbajtur një qen të tillë, të cilët kanë reputacionin e qenve të fuqishëm.
Nami famëkeq i pit bull-ëve, ashtu si e një marke të caktuar makine. Mesa duket meshkujve shqiptarë u bën punë për të krijuar statusin e dëshiruar social. Nga ana tjetër ka disa nga pronarë pit bull-ësh të cilët “dashurinë” për këtë racë qensh e kanë si një lloj adrenaline. Por nuk përjashtohet mundësia që ata t’i përdorin edhe për ndeshje të paligjshme mes pit bull-ësh. Amfiteatri pranë kodrave të liqenit shpesh është kthyer në një shesh lufte mes pit bull-ëve. Ndeshjet zgjasin nga disa minuta deri në një orë ose edhe më shumë. Fatin e pit bull-ëve e vendosin bastexhinjtë ose të zotët e tyre. Kur bastet janë tepër të larta, pronarët me gjakftohtësi pranojnë ta çojnë qenin drejt vdekjes të sigurt. Ndeshja mbaron vetëm kur njëri prej pit bull-ëve vritet nga tjetri. Pit bull-ët përdoren për ndeshje të paligjshme sepse janë ndër racat e qenve më të fuqishme.
Nga ana tjetër shumë instruktor kafshësh shprehen se pit bull-ët janë të rrezikshëm në sulmet ndaj qenve të tjerë, por jo ndaj njerëzve. Sipas tyre, në Shqipëri ka pasur incidente të shumta me njerëzit sepse të zotët e tyre i kanë edukuar keq, pasi shumë pronarë qensh, i rrahin dhe i lënë në vende me errësirë për t’i egërsuar sa më shumë. Sa i përket sulmeve më të shpeshta ndaj fëmijëve nga ana e qenve pit bull specialistët e kafshëve shprehen se kjo ndodh pasi fëmijët e vegjël të moshave nga 1 deri në 3 ose 4 vjeç nuk i kanë të zhvilluar instiktet, ndaj nuk u frikësohen qenve.
Kafshimi i pit bull-it është shumë i fortë sepse vetë struktura e nofullave të pit bullë-ve i ngjan një ganxhe e cila mbyllet hermetikisht. Nëse kafshimit të një qeni tjetër mund t’I shpëtosh pa rrezik për jetën, sa herë që sulmon një pit bull aq herë jeta e një njeriu vihet në rrezik. Në Tiranë, pit bull-ët vazhdojnë të shëtisin lirshëm, pa maska dhe pa zinxhir në rrugët më të rrahura nga njerëzit, në shkelje të hapur të ligjit. Rreziku për incidente të tjera mbetet tepër i madh.
Ligji i “Veterinarisë”
Detyrimet e pronarëve të kafshëve të shoqërimit
Të vendosin maskat mbrojtëse (për qentë)
Të pastrojnë ambientin publik në rast të ndotjes me jashtëqitje
Të bëjnë vaksinimin e detyrueshëm kundër tërbimit
Të kujdesën për parandalimin e çiftëzimit të pakontrolluar
Të mos i tërheqin ato prej koke, qimesh, veshësh, gëzofi, etj
T’u sigurojnë kafshëve lëvizjen e nevojshme ditore kur i mbarështojnë në mjedise të mbyllura
(javanews.al) M. A