Drejtori i CIA-s, John Brenan, vizitoi këtë të premte Sarajevën, në një vizitë të panjoftuar më parë dhe në rrugën e kthimit nga Arabia Saudite. Nuk ka shpjegime zyrtare për arsyet e vizitës, por agjencia serbe e lajmeve, “B92” ka marrë mendimin e një eksperti të terrorizimit, Dzevad Galijasevic, sipas të cilit dy janë arsyet e ardhjes së Brenan në vendin ballkanik: “Arabia Saudite i ka dhënë Brenan të dhëna sekrete që flasin për rritjen e aktivitetit shumë negativ të Turqisë në Bosnje-Hercegovinë, parë nga këndvështrimi i sigurisë. Kjo lidhet me dislokimin e forcave turke në kuadër të operacionit “Althea” bashkë me intensfikimin e aktivitetit agjenturor. Siç duket synimet turke janë shtimi i presionit ndaj Europës me valën e refugjatëve, destabilizimi i saj në funksion të përfitimeve në negociatat me Gjermaninë”, deklaron eksperti në fjalë. Po kështu Arabia Saudite ka njoftuar edhe për rritje të aktivitetit të agjencive iraniane që po gjen mbështetje në Bosnje tek një nga partitë politike në vend dhe sidomos nga presidenti Bakir Izetbegoviç.
Lidhur me këtë vizitë, gazeta amerikane “Washington Post” bën një raportim të një kuadri më të gjerë duke iu referuar aktiviteteve serioze të Shtetit Islamik në Ballkan. Sipas burimeve diplomatike të nivelit të lartë që referohen nga kjo gazetë, ISIS synon zgjerimin e bazave të veta operative në Ballkan që bashkë me Afrikën e Veriut dhe zonën Siri-Irak, e kthen të gjithë Mesdheun Lindor në një mjedis të paqëndrueshëm dhe në emergjencë sigurie. Në muajin dhjetor është njoftuar mbërritja në Bosnje dhe në Kosovë e një lideri ekstremist, i cili po merret me organizimin e luftëtarëve të kthyer nga Siria, përherë me qëllimin e nisjes së aktiviteteve.