Gjykata e Lartë ka rrëzuar përfundimisht pretendimin e një qytetari nga Durrësi për ndjekje penale ndaj tetë kryeministrave që kanë kryesuar qeveritë shqiptare pas vitit 1990, përshi edhe aktualin, Edi Rama.
Në kallëzimin e tij, Nikoll Prenga pretendonte se krerët e qeverisë ndër vite duhet të hetoheshin për “shpërdorim të detyrës”. Sipas tij, veprimet dhe mosveprimet e kryeqeveritarëve kanë qenë shkak i shkatërrimit të pasurive kombëtare dhe tragjedive materialejetësore.
Përmes një vendimi të shpallur më 22 shkurt 2016, një kolegj penal i Gjykatës së Lartë nuk pranoi ankimin e kallëzuesit Nikoll Prenga.
Ai i kërkoi gjykatës të shfuqizojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme të datës 4 nëntor 2015, për të mos filluar procedim penal ndaj nëntë kryeministrave të kallëzuar. Në vendimin e arsyetuar, një kopje e të cilit u sigurua nga “Panorama”, kolegji penal i kryesuar nga gjyqtari Admir Thanza shfaq arsyet pse nuk u lejua hetimi i kryeministrave.
Pasi ka administruar provat e paraqitura në gjykim, thuhej në vendim, kolegji penal ka arritur në përfundimin se ankimi i paraqitur nga kallëzuesi Nikoll Prenga është i pambështetur në ligj dhe si i tillë nuk duhet të pranohet.
“Për sa i përket kallëzimit për veprën penale të ‘shpërdorimit të detyrës’, kolegji penal i Gjykatës së Lartë vlerëson të drejtë përfundimin e arritur nga organi i akuzës për këtë vepër, për faktin se kallëzimi penal përmban referime të përgjithshme dhe jo fakte konkrete ndaj subjekteve të renditur si të kallëzuar nga shtetasi Nikoll Prenga”,- arsyetonte Gjykata.
Një tjetër argument i Gjykatës së Lartë ishte fakti se kallëzimit penal të Prengës, nuk i është bashkëlidhur asnjë provë konkrete ku të mbështeten pretendimet e ngritura për veprimtari të kundërligjshme.
Kolegji penal arsyetonte më tej se për disa prej të kallëzuarve, që kanë ushtruar funksionin në fillimet e viteve 1990, nuk mund të kryhej asnjë verifikim për shkak se vepra penale e kallëzuar si e kryer prej tyre është parashkruar.
Po ashtu, Gjykata e Lartë nënvizonte se për një prej të kallëzuarve, Ramiz Alinë, nuk mund të kryhen hetime për shkak se ai nuk jeton më. “Për subjektin e kallëzuar penalisht Ramiz Alia, nga ana e Prokurorisë nuk mund të kryhen hetime, për shkak se ky shtetas rezulton të ketë vdekur në vitin 2011.
Vendimi i prokurorit për mosfillimin e procedimit penal nga ky kolegj në tërësi vlerësohet i ligjshëm, për shkak të kuptimit dhe të zbatimit të drejtë të ligjit material dhe procedural penal”, thuhej në vendim.
Në kallëzimin e tij, Nikoll Prenga kërkonte nxjerrjen në dritë të këtyre veprimtarive kriminale të drejtuesve të papërgjegjshëm e të inkriminuar në Republikën e Shqipërisë, që kanë shkatërruar gjithçka.