Dritan Telegrafi, 46 vjeç, është i akuzuar për vjedhjen e një çadre në Berat. Për një muaj, prokuroria dhe gjykata e këtij rrethi kanë qenë në një betejë gjyqësore të vërtetë, pasi organi i akuzës këmbënguli ta dërgonte në burg, ndërkohë që gjykata nuk pranoi.
Siç tregon dokumentacioni, 46-vjeçari u arrestua për vjedhjen e një çadre. Ai jo vetëm u mbajt tre dite në paraburgim, por për të Prokuroria e Beratit luftoi që ta rikthente në qeli.
“Jam i papunë dhe dal natën për të mbledhur kanaçe në lagjen “Çlirim”. para 4 muajsh pash një çadër ngjyrë kremi në rrugë që e kishte marrë era. E mora dhe e çova në shtëpi. Më pas e shita për 7.500 lekë”, thotë Telegrafi në dokumentacion.
Por megjithë vlerën e papërfillshme të objektit të vjedhur dhe dëshmisë së të pandehurit që shfaqet mohues për ngjarjen, prokuroria iu drejtua gjykatës duke kërkuar “arrest me burg”, një kërkesë kjo që u refuzua.
E ndërsa deklaratat e prokurorit të përgjithshëm apo ministrit të Drejtësisë udhëzojnë që për vepra të lehta të mos ketë ndëshkime me kosto për shtetin dhe taksapaguesin, Prokuroria e Beratit e apelon çështjen duke këmbëngulur sërish në një gjykatë më të lartë, siç është ajo e Apelit në Vlorë për “arrest me burg”.
Edhe kërkesa e dytë e prokurorisë u refuzua, ndërkohë që për Dritan Telegrafin, i dyshuar për vjedhjen e çadrës, u vendos “detyrim paraqitje”.
Shpenzimet proceduriale për procesin e çadres i kushtuan shtetit 500 mijë lekë vetëm gjatë masës së sigurisë. Derisa gjyqi të shqyrtohet në themel, 46-vjeçari është i detyruar të paraqitet çdo të enjte pranë organeve të drejtësisë. TCh