Shefi i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç gjatë një urimi që u ka bërë studentëve të Universitetit të Prishtinës, dega në Mitrovicë, për Ditë e Studentëve, ka thënë se si duhet serbët të mbijetojnë në Kosovë.
Gjuriç, javën e kaluar, pati hyrë në Kosovë, duke mos respektuar autoritetet e vendit, e më pas ishte detyruar të kërkonte falje në takimin urgjent të Brukselit para delegacionit të Kosovës, e gjitha kjo sipas kryesueses së ekipit të Kosovës, Edita Tahiri, transmeton Koha.net.
Ai ka thënë se arsimi i lartë është shumë i rëndësishëm për të rinjtë serbë dhe se përgjigjja ndaj shumë sfidave që i presin në të ardhmen për mbijetesë në Kosovë, do të jetë me armatimin e dijes.
“Përgjigja ndaj shumë sfidave që na presin në të ardhmen, do të jetë duke u armatosur me njohuri, ide të reja dhe këmbëngulje për të ndërtuar kushte të favorshme për mbijetesën dhe progresin në Kosovë”, ka thënë Gjuriç.