Aksioni i Bashkisë së Tiranës “Të Pastrojmë Tiranën” është zhvendosur sot përgjatë Lumit të Tiranës.Ndërmarrjet e bashkisë dhe banorë të përgjegjshëm morën pjesë në pastrimin e disa vatrave të ngarkuara me papastërti përgjatë shtratit të këtij lumi, kryesisht në zonën e Shish-Tufinës dhe në fshatin Ferraj. I pranishëm në këtë aksion ishte edhe nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Abaz Hado, si dhe drejtues të Njësisë Administrative Dajt.
Në fjalën e tij, nënkryetari Hado vlerësoi se qëllimi i kësaj nisme është ndërgjegjësimi i qytetarëve për të treguar më shumë kujdes ndaj mjedisit, si dhe mesazhi se për Bashkinë e Tiranës si qendra ashtu edhe periferia marrin të njëjtën vëmendje. Ndaj, ka theksuar ai, ky aksion është përqendruar në një nga zonat me të ndotura me mbetje urbane, siç është Lumi i Tiranës. “Jemi këtu për të pastruar lumin e Tiranës, jemi në këtë zonë periferike pasi kemi qëllimin për të pastruar Tiranën, jo vetëm në qendër, por në të gjithë territorin e saj, kudo ku ka mbetje e ndotje”, tha Hado.
Gjithashtu, ai theksoi se ky aksion synon ndërgjegjësimin e qytetarëve se për të patur një mjedis të pastër nuk mjafton vetëm puna e ndërmarrjeve të bashkisë, por edhe roli që luan vetë komuniteti i banorëve. “Jemi këtu për të ndërgjegjësuar qytetarët, për të kuptuar njëherë e mirë se Tirana duhet të pastrohet në çdo cep të saj. Tirana nuk është vetëm qendra, janë edhe këto zona periferike, si kjo zonë e largët ku jemi sot, ku vijmë me dëshirën për të ofruar shërbim, për të ofruar shembullin që njerëzit të bëhen të ndërgjegjshëm, se Tirana duhet pastruar. Ne duhet të jemi të pastër, aty ku jetojmë sepse jeta jonë bëhet më e mirë, duke pastruar”, tha nënkryetari Hado.
Aksioni i sotëm vjen në kuadër të nismës “Të Pastrojmë Tiranën”, që Bashkia e Tiranës organizon çdo muaj duke u përpjekur që të sensibilizojë dhe angazhojë qytetarët në mbajtjen e ambientit të pastër. Gjithashtu, pastrimi i Lumit të Tiranës nga mbetjet urbane të akumuluar në pika të ndryshme të rrjedhës së tij, i bashkohet nismës së përfaqësuesve të OSBE për pastrimin e lumit Ishëm, rrjedhë e të cilit është dhe lumi i Tiranës. Kjo nismë, krahas pastrimit të Lumit të Tiranës, synon në ndërgjegjësimin e komunitetit që banon përgjatë gjithë rrjedhës së këtij lumi.