Vendimi i Byrosë së Kuvendit e cila përjashtoi me 10 ditë nga punimet e Kuvendit ish-lryeministrin Sali Berisha, pas deklaratës së tij për armatosjen e popullit, ka shkaktuar reagimin e ashpër të Partisë Demokratike.
Nëpërmjet një deklarate shpërndarë për mediat, selia blu e cilëson këtë vendim si hakmarrje të Edi Ramës pas denoncimit që Berisha i bëri partnerit të tij Emiliano Shullazi.
Ja deklarata e Partisë Demokratike:
Edi Rama riktheu sot dënimin e byrose së partisë duke u hakmarrë ndaj Sali Berishës për denoncimin që i bëri partnerit të tij Shullazi.
E njëjta byro që është e verbër dhe e shurdhër për të parë fyerjet skandaloze dhe dhunën verbale të Edi Ramës ndaj grave deputete, e në fund dënon pikërisht viktimat e dhunës, e njëjta byro që për shkak se nuk e fshihte dot pisllëkun e Braçes që ndodhi në sy të mbarë shqiptarëve, dënoi padrejtësisht dy deputetë të PD për të ngushëlluar mercenarin e Ramës, po kjo byro vendosi të përjashtojë Sali Berishën pse propozoi një nismë ligjore. Partia Demokratike kërkon anullimin e menjëhershëm të këtij vendimi të padrejtë.
Në të kundërt, PD dhe grupi i saj parlamentar do të marrin vendimet e duhura për t’iu përgjigjur këtij arbitrariteti dhe padrejtësie, këtij akti hakmarrje burracake të partnerit të Shullazit Edi Rama.