Një listë e gjatë dëshmitarësh do të pyeten nga Prokuroria e Krimeve të Rënda gjatë hetimeve për Emiljano Shullazin.
Emrat e personave që do të thirren për të dhënë deklarime janë përzgjedhur nga dy prokurorët e çështjes, Ened Nakuçi dhe Elisabeta Imeraj. Në krye të kësaj liste janë 4 biznesmenë, që dyshohet se 38-vjeçari u ka vendosur gjoba me anë të kërcënimeve gjatë viteve të fundit.
Dy nga këta biznesmenë janë banues në Durrës, njëri është sipërmarrës në fushën e supermarketeve dhe tjetri në tregtinë e kafesë. Dy biznesmenë të tjerë në listën e Prokurorisë janë me qëndrim në Tiranë, njëri me aktivitet në fushën e karburanteve dhe tjetri është Jani Zaka, pronari i parkingut 1200 m² në zonën e “21 Dhjetorit”, në Tiranë, i larguar nga Shqipëria pas kërcënimit nga Emiljano Shullazi.
Këta persona, sipas Prokurorisë, janë në listën e dëshmitarëve që do t’u merren deklarime në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit dhe Blerim Shullazit për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”.
Dëshmitarëve do t’u kërkohen të dhëna shtesë dhe informacione konfirmuese në lidhje me akuzat që janë ngritur ndaj grupit të Emiljano Shullazit. Për këto vepra penale mësohet se do të merren në pyetje dy noterë në Durrës dhe një noter në Tiranë, ku janë kryer firmosje kontratash për pasuri të mëdha që kanë kaluar në emër të Emiljano Shullazit. Noterëve, sipas Prokurorisë, do t’u kërkohen shpjegime nëse kanë pasur kërcënime apo presione për të kaluar në emër të Emiljano Shullazit pronësinë e ish-hotel “Vollgës”, ish-Parkut Sportiv në Durrës dhe prona të tjera në Tiranë.
Në listë për t’u marrë në pyetje në Prokurori janë edhe ish-drejtuesit e Hipotekës së Durrësit dhe Tiranës, në kohën kur pronat objekt hetimi janë hedhur në emër të Emiljano Shullazit. Para dy prokurorëve të çështjes pritet të japë sqarimet e saj edhe ish-kandidatja për rektore në Universitetin e Tiranës, Klodeta Dibra.
Hetuesit do të kërkojnë informacione shtesë në lidhje me atë çfarë ka ndodhur gjatë garës për këtë post, pas denoncimit se kandidati tjetër Mynyr Koni (rival me Klodeta Dibrën), u kërcënua nga Shullazi disa ditë para se të zhvilloheshin zgjedhjet.
Panorama