Ardit Zenelhoxha, 30-vjeçari nga Elbasani që mbyti nënën e tij, Nedije Zenelhoxha, ka rrëfyer në polici se e bëri veprimin ngaqë “nëna bënte zhurmë”. Gazeta Shqiptare shkruan sot se ai ka qenë në gjendje depresioni kur ka kryer aktin makabër, mëngjesin e djeshëm.
Pas vrasjes, ai ka njoftuar xhaxhain për atë që ka bërë. Sipas policisë, Zenelhoxha i ka telefonuar xhaxhait, duke i thënë: Eja pak shpejt në shtëpi. Na ka ndodhur një ngjarje e rëndë”. Xhaxhai i të riut kujdesej shumë për kunatën e tij 69-vjeçare dhe dy fëmijët e saj që nga koha kur vëllai i tij kishte vdekur. Pasi ka hyrë në banesë dhe ka parë kunatën e tij të vdekur, ai ka mësuar nga nipi se ky i fundit e kishte mbytur të ëmën. I tronditur, xhaxhai i 30-vjeçarit ka njoftuar policinë për vrasjen. I riu është dërguar në komisariatin e Elbasanit ku është marrë në pyetje nga ekspertë të krimit në familje. Burimeve konfidenciale nga policia lokale pohuan se Ardit Zenelhoxha ishte në gjendje të rënduar psikologjike dhe se fjalët e tij kanë qenë të pakta. Pyetjes se përse e mbyti nënën e tij, Arditi i është përgjigjur.
“Dëgjoja zhurma”. E ndërsa është pyetur se çfarë zhurmash dëgjonte, Arditi sërish është përgjigjur shkurt: “Nëna bënte zhurmë”, duke mos qartësuar se çfarë zhurme bënte viktima. Pas dëshmisë, hetuesit e çështjes thanë se Ardit Zenelhoxha ka hyrë në mëngjes në dhomën e nënës së tij (nuk dihet nëse ajo ishte në gjumë apo zgjuar) dhe i ka vendosur duart në fyt. Mendohet se të moshuarës nuk i është lënë kohë që të vetëmbrohej. Policia ka bërë këqyrjen e kufomës, ku edhe rezultoi se në trupin e viktimës nuk ka pasur shenja dhune, ndërsa ekspertët kanë verifikuar se vdekja e saj është shkaktuar si pasojë e mbytjes me duar. Gjithashtu, policia ka marrë në pyetje të afërm të 30-vjeçarit me qëllim që të zbardhin rrethanat e motivin e vrasjes, por mësohet se asnjë nuk ka mundur dot të shpjegojë këtë tragjedi. Sipas familjarëve, Arditi asnjëherë nuk ka shprehur shenja dhune në familje. Policia e etiketon vrasjen si një çast depresioni apo skizofrenie nga ana e të riut.
AUTORI I KRIMIT
Ardit Zenelhoxha kishte më shumë se 10 vite që të ardhurat e veta i siguronte vetë duke punuar në punë të ndryshme. Kohët e fundit ai punonte si furnizues i pijeve freskuese, me furgonin e një kompanie. Ai shpërndante në dyqane të ndryshme pije freskuese dhe me të ardhurat që merrte, ndihmonte edhe nënën e tij pensioniste. Sipas fqinjëve të familjes Zenelhoxha, ai ishte djalë punëtor dhe shumë i sjellshëm. Po ashtu, fqinjët dhe të afërmit e 30-vjeçarit sqaruan se ai ishte larguar nga puna para një jave në rrethana jo fort të qarta. Po sipas fqinjëve, nënë e bir kanë pasur marrëdhënie normale dhe nuk janë konfliktuar më herët. Grupi hetimor po heton intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.
BW