Një grup deputetësh të PS kanë dorëzuar një kërkesë në Byronë e Kuvendit për të marrë masa ndëshkimore ndaj ish kryeministrit Berisha. Pak orë më parë, nga foltorja e parlemtit ish Kryeministri i bëri thirrje qytetarëve shqiptarë që të marrin armët kundër qeverisë dhe kriminelëve që sipas tij po qeverisin me maxhorancën e majtë. Në dalje të parlamentit, deputeti Taulant Balla bëri të ditur se një grup prej shtatë deputetësh të PS kanë dorëzuar kërkesën tek Byroja e Parlamentit.
“Një grup prej më shumë se 7 deputetësh të grupit të PS që gjendeshin në sallë gjatë fjalës së Berishës, kanë depozituar një kërkesë drejtuar Byrosë së Kuvendit, me qëllim mbledhjen e saj. Është një moment i trishtë në karrierën politike të një politikani që në fundin e tij bën deklarata kaq të papranueshme. Do të jetë byroja e cila pas marrjes së transkriptit dhe proceverbalit do të marri vendimin.”- tha Balla.