Nga Ben Andoni
Investimi i madh që bëri kreu historik i PD-së, Sali Berisha për të vendosur benjaminin e tij të dikurshëm, asnjëherë s’është parë mirë brenda Selisë Blu. Dhe koha po e provon instinktin e dyshuesve. Në javët e fundit, për vetë zhvillimet, Basha po i kthehet në një bumerang të vërtetë Partisë më të madhe të Opozitës shqiptare. Në çastet e para pas humbjes, pakkush nga PD-ja do kishte energjinë, egon dhe bindjen që përçonte z.Basha, ministri i disa dikastereve të rëndësishëm për të marrë përsipër detyrën e zëvendësimit të Berishës. Madje, në procesin drejt kreut të partisë u sakrifikua dhe një nga zërat më autoritativë të PD-së, i ndjeri Olldashi. Por, sot, investimi i Berishës ka rezultuar një humbje e madhe. E para, për atë vetë. Si rrallëherë kalkulimet e sakta të Berishës kanë dalë bosh prej mungesës së staturës të pamjaftueshme të zotit Basha. Një bashkëbisedues i këndshëm i fillimit me autoritetet e huaja dhe me maniera të këndshme sjellje, nuk është aspak i besueshëm sa i përket rezultateve. Pak muaj më parë, prej tij, i gjithë komuniteti opozitar shqiptar mori besimin dhe premtimin se do vazhdonin protestat, por kalimi i ditëve tregoi se ai jo vetëm i fashiti duke ua hequr motivin, por e ka të pamjaftueshëm të ngrejë kauza me themel. Ato pak që ngre dhe që kjo qeveri t’i jep me lopatë, shkasin prej mënyrës së artikulimit, mungesës së forcës argumentuese dhe përçarjes së thellë që ka futur në PD. Dëgjon pak. Rrëshket, kur kritikohet. Duket i vetëkënaqur me pak servilë përreth. Ndërkohë që është e trishtueshme se Pozita e sotme drejton kaq e qetë mendërisht me gabimet e shumta që po bën. Arsyeja tashmë është e kuptueshme. Përballë ka një lider opozite, që nuk pyetet asfare edhe në partinë e tij, pasi i mungon krejtësisht konsekuenca e mendimit dhe mobilizimi i aksionit politik. I pari, që e ka kuptuar dhe që manifeston kundërshtinë, është njeriu që e sponsorizoi në pushtet. Jo më kot, Berisha, pothuaj më shumë komunikon me presidentin e vendit, shkëlqesinë e tij Nishani, që ka treguar se është mirënjohës deri në përkushtim dhe ka zbritur në terren, por asfare Basha, njerëzit e ngushtë së të cilit në parti reflektojnë thellësisht një frymë tejet moskokëçarëse ndaj bazës së PD-së, por edhe pjesës që e ka mbajtur këtë parti. PD-ja nën drejtimin e tij ka humbur edhe mbështetjen historike të PPE, atë që e përdorte me sukses në propagandën e vet Berisha. Në samitet evropiane të të Djathtëve, Basha mjaftohet me takime të vakëta, që i prezanton si të rëndësishme.
Kjo ka bërë që duke filluar nga Berisha ai po shmanget pak nga pak dhe rolin e tij po e bën ish-kreu i PD-së, që mban lidhje paralelel me strukturat e partisë. Vetëm se Berisha nuk është më i ri dhe koha është armiku më i madh i tij, që duket se ia ka fashitur energjitë dhe motivet, shtuar edhe me një zhgënjim jo të vogël: afrimin e Bashës në kreun e një partie që mbart ende hijen e tij. Megjithatë, me këtë dualizëm, PD-ja, pak e nga pak po kthehet në një hije të asaj force që diktonte.
Ndoshta kjo s’bën më përshtypje, por është e trishtueshme për komunitetin, që në vitet e fundit presin të kanalizojnë mendimin opozitar dhe reagimin ndryshe, jo aq sporadik si i PD-së nën Bashën, për t’i treguar qeverisë së z.Rama, gabimet jo të pakta. Në një farë mënyre, ajo që të shkon ndërmend si konstatim është se ardhja e Bashës pas humbjes së PD-së në zgjedhjet e vitit 2013, nuk ishte zgjidhje, por po rezulton të jetë dhe më e keqe se vetë rezultati katastrofik i këtyre zgjedhjeve.