Me akuzën për gjobëvënie gjykata la dje në qeli edhe Gilmando Dani. Ai nuk dha asnjë deklaratë në lidhje me akuzat e Prokurorisë, duke u mjaftuar vetëm me konfirmimin e gjeneraliteteve dhe me konfirmimin se ishte dakord me çfarë tha avokati.
Në provat e paraqitura nga Prokuroria mësohet të jetë edhe një përgjim telefonik mes Gilmando Danit dhe ish-kreut të Hipotekës së Durrësit, në lidhje me regjistrimin e një prone, që pretendohet të jetë ish-hotel “Vollga”.
“Pse nuk e regjistron atë pronën? Të gjitha dokumentet janë në rregull”, mësohet të jetë shprehur Dani në atë bisedë, shkruan “Panorama”.
Sipas Prokurorisë, kjo telefonatë është bërë pasi dokumentacioni ishte depozituar në Hipotekë, por kjo e fundit po vononte procedurën.
Pretendimet e Prokurorisë u kundërshtuan me forcë nga avokatët mbrojtës, Arjan Qafa dhe Nexhdet Kambo. Ata kërkuan lirimin e klientëve të tyre.
Sipas burimeve, avokatët u shprehën për mosekzistencë të një kallëzimi ndaj klientëve të tyre dhe për pamjaftueshmëri provash për krijimin e një dyshimi të arsyeshëm.