Detaje të reja zbulohen për vrasjen e 38- vjeçares Suela Sula në Shkodër nga bashkëshorti i saj, Sadetin Sula, 47 vjeç, i cili është arrestuar nga Policia e Shkodrës. Ai akuzohet se e ka mbytur me duart në fyt bashkëshorten e tij.
Sadetin Sula vazhdon të jetë në Komisariatin e Policisë së Shkodrës, derisa të dalë përpara Gjykatës së Shkallës së Parë për t’u njohur me masën e sigurisë. Burri është marrë disa herë në pyetje në Policinë e Shkodrës dhe dëshmitë e tij janë kontradiktore, megjithëse në asnjë rast ai nuk e ka pranuar krimin.
Një pjesë e dëshmisë së tij është arritur që të zbardhet. Babai i tre fëmijëve nuk e pranon këtë krim dhe thotë se ai është larguar nga mobilieria në mëngjesin e 18 shkurtit dhe, pasi është rikthyer aty pas disa orësh, e ka gjetur të pajetë në tualetin e mobilierisë bashkëshorten.
“Kam dalë nga mobilieria rreth orës 8 të mëngjesit. Kam shkuar te banka për të kryer disa veprime dhe nga aty kam kryer disa punë të tjera që kam pasur brenda qytetit. Më pas jam rikthyer te mobilieria disa orë më vonë. Kam kërkuar për Suelën, por nuk e kam parë kund. E kam thirrur dhe nuk më është përgjigjur. I shqetësuar kam kontrolluar kudo dhe më pas kam parë në tualet. Aty kam vërejtur se kishte mbytur veten. Kam njoftuar nipin tim të parin dhe më pas menjëherë policinë, e cila ka ardhur aty”, ka pohuar i akuzuari.
Kjo dëshmi e tij është ndërruar disa herë duke qenë konfuz përpara oficerëve të policisë, duke ngatërruar oraret e lëvizjes apo edhe itinerarin, gjë e cila ka krijuar dyshime që janë vërtetuar edhe pas raportit të ekspertizës mjekoligjore. I pyetur nëse ka pasur probleme në marrëdhënien në çift, Sadetin Sula e ka pranuar një gjë të tillë, por sërish nuk e ka pranuar autorësinë, duke thënë se nuk ka lidhje me vdekjen e bashkëshortes së tij dhe se ajo është vetëvrarë.
“Po, kemi pasur probleme kohët e fundit në marrëdhëniet tona, por duke qenë se kemi 3 fëmijë të mitur, nuk kam bërë asgjë që nuk duhet. Probleme kemi pasur, por unë nuk e kam vrarë Suelën dhe nuk e di çfarë ka ndodhur me të”, ka dëshmuar Sadetini.
Të tjerë persona, të njohur të këtij çifti, dëshmitarë kanë deklaruar në Policinë e Shkodrës, pasi janë marrë në pyetje, se Sadetini dhe Suela kanë debatuar mes njëri-tjetrit kohët e fundit, çka tregon se marrëdhënia e tyre në çift nuk ka qenë e mirë. Megjithatë, ditën kur ndodhi krimi, ata kanë treguar se pronari u kishte thënë që të largoheshin nga puna dhe të bënin pushim.
Mendohet që në ato çaste të ketë ndodhur ngjarja. Autori akuzohet se e ka kryer vrasjen e gruas në një ambient tjetër të mobilierisë, ndërsa më pas e ka çuar në tualet, duke i vendosur një litar në fyt, për të lajmëruar policinë se e shoqja kishte vrarë veten. Panorama