Prishtina ka arritur të mbrojë titullin në Ligën Ballkanike.Kampioni kosovar është mposhtur në finalen e dytë ndaj Mornarit në Mal të Zi me rezultat 75:68, por fitorja e thellë prej 14 pikëve në ndeshjen e parë të zhvilluar në Prishtinë, i ka mjaftuar “Plisave” për të mbrojtur titullin e më të mirit.
Takimi nisi më mirë për vendasit që triumfuan në dhjetëminutëshin e parë me rezultat 23:15, por që gjithçka u përmbys në pjesën e dytë, kur kosovarët fituan 12:24.
Pjesa e tretë ishte kthyese për malazezët që fituan me 14 pikë epërsi, 22:8. Megjithatë, kampioni tregoi fuqinë në fund dhe arriti të fitonte me tri pikë epërsi për të ngushtuar rezultatin në 75:68.
Jason Washburn ishte lojtari më i mirë i finales së dytë duke shënuar 22 pikë.
Prishtina bëhet skuadra e dytë pas Galilit që ka arritur të mbrojë titullin e më të mirit në Ballkan.
Kapiteni i Sigal Prishtinës, Edmon Azemi ka thënë se edhe në ndeshjen e dytë në Tivar të Malit të Zi, në finale të Ligës Ballkanike kanë ndjerë përkrahjen e prishtinasve.
“Edhe pse patëm ndeshje të vështirë treguam se ishim më të mirë. Ata kanë pas përkrahjen e tifozëve të tyre këtu, derisa edhe ne e kemi pas përkrahjen e tifozëve tanë, sepse e kemi ditur se ata janë duke na ndjekur në shesh të kryeqytetit”, ka thënë Edo, teksa fitoren ka thënë se ua dedikon “Plisave”.
“Ju falënderohem të gjithë njerëzve që na kanë përcjell këtu për të na parë, në shesh dhe nga shtëpitë e tyre”, ka thënë më tej ai.