Selia e stacionit të karabinierëve në Napoli të Italisë është sulmuar me breshëri kallashnikovi nga anëtarët e një bande vendase.
Ngjarja ka ndodhur natën mes së martës dhe së mërkurës dhe është raportuar pasditen e sotme nga mediat italiane. Sipas burimeve, që citojnë autoritetet lokale të rendit, autorë të të shtënave kanë qenë djem të rinj.
Këta të fundit, sipas burimeve, po zënë territoret e qytetit të lëna bosh nga klanet e vjetra të Kamorrës, të asgjësuar me kalimin e viteve.
Bandat e të rinjve nuk janë të sofistikuara në nivelet e grupeve mafioze, por përbëjnë rrezik për rendin dhe sigurinë, thanë autoritetet, që së fundmi kanë ndërmarrë një seri operacionesh kundër tyre.
“Ne nuk do të trembemi. Veprimi i natës së kaluar tregon që prania e karabinierëve në territor është thelbësore dhe se operacionet e vazhdueshme janë kthyer në bezdi për botën e krimit”, deklaroi komandanti i stacionit, gjenerali Antonio De Vita.
Pavarësisht kësaj, zyrtari i lartë u ka bërë edhe një apel të rinjve që të heqin dorë nga krimi. “Ulini armët. Jeta nuk është një lojë elektronike, apo një slogan në rrjetet sociale”, u shpreh De Vita.