Ish-kreu i Hipotekës së Durrësit dhe ish-kandidat për deputet i PS Jurgis Çyrbja mësohet të jetë telefonuar vetëm një herë nga Gilmando Dani në vitin 2015,ku ky i fundit i ka kërkuar që të rregjistronte pronën në emër të Shullazit,pasi e gjithë praktika ishte kryer në mënyrë ligjore. Kjo bisedë mes Jurgis Çyrbjes dhe Gilmando Danit rezulton të jetë përgjuar nga prokuroria, dhe ky përgjim është sjellë si provë gjatë ditës së sotme përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda raporton Shqiptarja.com.
Në bisedën e përgjuar është konstatuar Gilmando Dani, ku i thotë Jurgis Çyrbjas se “…pse nuk e rregjistron pronën, gjithçka është e rregullt… me vendim gjykate dhe dokumentacionet e tjera…”. Mësohet se telefonata është bërë pas një periudhë kohe kur dokumentacioni ishte depozituar nga noteri në hipotekë, por nga ana e ish-kryeregjistruesit dhe punonjëve të tjerë është vonuar procedura e hipotekimit të pronës.Pas kësaj telefonate, nuk ka asnjë provë tjetër të dokumentuar për kërcënimin ose jo të ish-kryeregjistruesit të Durrësit.
Avokatët mbrojtës të Shullazit dhe Ganit thonë se ky përgjim nuk mund të mbajë në burg dy të ndaluarit, në një kohë kur ndaj tyre ska një kallëzim nga ish-kryeregjistruesi Çyrbja apo punonjës të tjerë të hipotekës Durrës. Më tej, avokatët shtojnë se telefonata e përgjuar nuk ka përmbajtje kërcënuese dhe është kryer në kufinjtë e të lejueshme, pasi dikush interesohet për rregjistrimin e një prone të dhuruar me vullnet të lirë para noterit.