Dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë se ish kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, dega e grupit CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dhe biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj, janë organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve e cila i kushtoi kompanisë miliona euro.
Skema u shfaq pasi grupi CEZ bleu një paketë dominuese aksionesh të kompanisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH, më 2009, dhe duket se kjo skemë synonte të ndikonte politikanët shqiptarë dhe Entin Rregullator të Energjisë, ERE, përmes ryshfeteve.
Gjithsesi, skema shkoi keq pasi Ismailaj, pronari i Debt International Advisory (DIA), partneri i CEZ për mbledhjen e borxheve në Shqipëri, futi në xhep paratë e kontratës pa bërë asnjë punë reale.
Skemat e Ismailajt besohet se kanë shkatërruar marrëdhëniet mes CEZ dhe qeverisë shqiptare, e cila në janar 2013 i hoqi CEZ Shpërndarje licencën, duke praktikisht e shtetëzuar atë.
CEZ për rrjedhojë nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet. Mosmarrëveshja u zgjidh më vonë pasi Tirana, nën presion nga Republika e Çeke lidhur me statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, i pagoi CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë.
Ismailaj, i cili ndërkohë është arrestuar i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrime të rënda, ka hedhur gjithashtu në arbitrazh CEZ Shpërndarje, tashmë nën pronësinë e qeverisë dhe e emërtuar OSHEE. Ai po kërkon 130 milionë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës në një çështje që mbetet pezull në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vienë.
Dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë se kur CEZ nënshkroi kontratën me DIA, Ismailaj sakaq qe nën hetim në Shqipëri për pastrim parash.
Biznesmeni akuzohet se përdori dokumente false për të fituar kontratën me CEZ Shpërndarje, ndërsa drejtuesit e CEZ bënin një sy qorr.
“Ky është mashtrimi më i madh në historinë e Shqipërisë,” tha një ish-punonjës i DIA për BIRN, i cili foli në kushtet e anonimatit.
BIRN mësoi gjithashtu se DIA nuk qe kompania e vetme e mbledhjes së borxheve që fitoi kontrata të dyshimta për mbledhje borxhesh nga CEZ.
Në vitin 2012, së paku katër kompani të tjera patën kontrata të tilla, po kaq të dyshimta dhe me rezultate ngjashëm shumë të dobëta.
Hejsek nuk iu përgjigj kërkesës të BIRN për koment. Ismailaj, i cili është nën arrest, ka mohuar akuzat gjatë marrjes së masës së arrestit. Ndërkohë, CEZ Grup gjithashtu nuk iu përgjigj kërkesave të BIRN për komente mbi akuzat.
Partneri i gabuar i biznesit
CEZ Grup bleu kompaninë shtetërore të shpërndarjes së energjisë elektrike në Shqipëri më 2009 duke paguar 102 milionë euro për 76 për qind të aksioneve ndërsa premtoi të investonte 200 milionë euro brenda katër viteve.
Pasi CEZ mori kontrollin e kompanisë, e riemërtoi atë CEZ Shpërndarje. Gjiganti çek i energjisë filloi të kërkojë për partnerë në Shqipëri për të lehtësuar biznesin me autoritetet shqiptare.
Drejtorja e vetme qe Juliana Muço, mbesa e avokatit Artan Hajdari në Tiranë. Kompania më pas, më 4 gusht 2010, regjistroi degën e saj në Tiranë, Debt International Advisory-Albania, administrator i të cilit u emërua Ismailaj.
Më 1 shtator 2010, DIA nënshkroi një kontratë me OSSH për të mbledhur borxhet që institucionet publike dhe konsumatorët privatë i detyroheshin shpërndarësit të energjisë dhe që ishin më shumë se 90 ditë të mbartura.
Sipas provave të mbledhura nga prokurorët shqiptarë, bazuar në emailet mes CEZ Albania dhe CEZ a.s në Pragë, marrëveshja mes DIA dhe OSSH e nënshkruar më 1 shtator 2010 bazohej në “gënjeshtra” dhe “dokumente false”.
Pesë muaj para se të firmosej kontrata mes DIA dhe OSSH, Ismailaj i dërgoi Hejsek një email përmes kunatit të tij i cili përmbante detaje të kompanisë së tij si dhe një prezantim se si do të funksiononte skema e mbledhjes së borxheve.
Sipas dokumentit, të cilin Hejsek ia dërgoi më vonë bordit të CEZ a.s në Pragë, Ismailaj pretendonte se DIA kishte 22 të punësuar në Tiranë si dhe departamente në qytetet e Elbasanit, Shkodrës dhe Fierit.
Në këtë email, ai pretendoi gjithashtu se prezantimi i skemës së mbledhjes së borxheve qe përgatitur nga kompania austriake Pasut & Partners sa.
Gjithsesi, investigimi nga prokurorët shqiptarë më vonë zbuloi se informacioni që Ismailaj i pati dërguar OSSH për DIA dhe për skemën e mbledhjes së borxhit, të cilën më pas Hejsek ia dërgoi bordit të CEZ në Pragë, qe i pavërtetë.
Në periudhën në të cilën prezantimi ishte përgatitur, kur Ismailaj pretendonte të kishte dhjetëra punonjës dhe shumë departamente, DIA ltd nuk qe ende e regjistruar në Ishujt Virgjin Britanikë.
Kompania Pasut & Partners, për të cilën Ismailaj pretendonte se kishte përgatitur prezantimin e DIA, as që nuk ekzistonte në kohën kur prezantimi qe përgatitur.
Sipas regjistrit të biznesit të qytetit Villach në Austri Pasut & Partners ndryshoi emrin në International Corporate Consultants AG në 4 nëntor 2009.
Ndryshe nga pretendimet e Ismailajt, raporti qe përgatitur përgjatë një periudhe dyjavore në prill 2010 nga dy ekspertë shqiptarë të energjisë.
Sipas dëshmisë që Elvis Mataj, ish drejtor ekzekutiv i DIA dha për prokurorët, Kastriot Ismailaj, Sokol Hysenaj dhe Petrit Ahmeti përgatitën raportin.
Hysenaj ishte një punonjës i OSSH në atë kohë dhe më vonë u bë drejtor ekzekutiv i DIA pasi Mataj dha dorëheqjen. Ahmeti qe këshilltar i Entit Rregullator të Energjisë, ERE, dhe në tetor 2013 u bë kryetar i saj.
“Ismailaj ka kërkuar ndihmën e Ahmetit dhe Hysenajt për të përgatitur një prezantim i cili do të bindte drejtuesit çekë për të nënshkruar kontratën për mbledhjen e borxheve,” shkruajnë prokurorët në aktakuzën ndaj Ismailajt.
“Manipulimi dhe përfshirja e emrit të një kompanie austriake në propozim synonte të bindte zyrtarët e lartë çekë të CEZ se ky prezantim ishte përgatitur nga DIA ltd,” shtuan ata.
Raport i rremë për identifikimin e borxheve
Megjithëse DIA dhe OSSH nënshkruan kontatën për mbledhjen e borxheve më 1 shtator 2010, kontrata kishte gjithashtu nevojë për miratim nga bordi i kompanisë së shpërndarjes që të bëhej e vlefshme.
Më 25 nëntor 2010, bordi mbikëqyrës i kompanisë, tashmë i riemërtuar CEZ Shpërndarje, mbajti një takim ku pika e parë e rendit të ditës qe kontrata për mbledhjen e borxheve me DIA.
Gjithsesi, për shkak se kontrata e dërguar te bordi i drejtorëve në takim nuk kishte shtojcat bashkangjitur, bordi refuzoi ta votojë atë.
Megjithëse kontrata nuk qe miratuar nga bordi, në të njëjtën ditë DIA i faturoi CEZ Shpërndarje 1 milionë euro dhe më pas 500 mijë euro, fatura të cilat kompania e shpërndarjes i pagoi.
Në dëshminë për prokurorët shqiptarë, Hejsek thotë se pagesa u bë te DIA për të ashtuquajturin Raport për Identifikimin e Borxhit. Gjithsesi, sipas prokurorëve ky raport u dërgua nga DIA te CEZ Shpërndarje me shumë vonesë.
Provat e mbledhura gjatë hetimit tregojnë se i ashtuquajturi Raport i Identifikimit të Borxheve i dërguar nga DIA te CEZ qe një dokument i rremë.
Emaile të shkëmbyera mes Hejsek dhe Ismailaj, të marra nga prokurorët, tregojnë se ai kërkoi që DIA të kryejë procesin e identifikimit të borxheve shumë herë “për të justifikuar faturat e lëshuara.”
Në një email që i është dërguar Ismailajt më 13 dhjetor 2010, me titullin fatura e DIA për pastrimin e databazës së klientëve, Hejsek shkruan se ata kishin nevojë për raportet për të justifikuar faturat që CEZ pati paguar.
“I dashur Kastriot. Për periudhën e parë 3 mujorë të bashkëpunimit ndërmjet CEZ, Periudha e Identifikimit të Debitorëve, na nevojiten dhe raportet për të mbështetur faturat e lëshuara së fundmi,” shkroi Hejsek.
Gjithsesi, të dhëna të mbledhura nga prokurorët tregojnë se DIA nuk e kreu kurrë procesin e identifikimit të borxhit.
Në dokumentet e prodhuara si Raporti i Identifikimit të Borxheve, DIA pretendon se e nisi procesin më 1 shtator 2010 duke angazhuar 360 njerëz në 40 agjenci për të identifikuar debitorët derë më derë.
Gjithsesi, të dhënat e siguruara nga prokurorët nga administrata tatimore tregojnë se DIA pati maksimalisht 122 punëmarrës.
“Kjo shoqëri nuk ka pasur asnjëherë 40 agjenci dhe gjithashtu nuk ka pasur asnjëherë kapacitetet e duhura njerëzore apo materiale për të kryer verifikimin e më shumë se 318,000 konsumatorëve të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë sikurse pretendohet në DIR,” shkruajnë prokurorët në aktakuzën kundër Ismailajt.
“Kjo punë pretendohet se filloi më 1 shtator 2010 kur i vetmi i punësuar në këtë shoqëri në këtë periudhë ka qenë shtetasi Kastriot Ismailaj,” thonë ata.
Prokurorët zbuluan gjithashtu se në nëntor 2010, CEZ Shpërndarje nisi një Projekt të Përgjithshëm për Pastrimin e të Dhënave, i cili kishte të njëjtin synim me Raportin e Identifikimit të Borxheve.
Konkluzioni i tyre qe që asnjë nga faturat e lëshuara nga DIA dhe të paguara nga CEZ Shpërndarje nuk kishte “asnjë bazë ligjore apo kontraktuale dhe janë thjesht vjedhje përmes mashtrimit të llogarive të kompanisë”.
Një ish i punësuar i DIA, i cili foli në kushtet e anonimatit, i tha BIRN se CEZ nuk kishte nevojë për procesin e identifikimit të borxheve të DIA.
“Paratë që ata i paguan Ismailajt kishin për synim të korruptonin zyrtarët shqiptarë për llogari të CEZ,” tha ish punonjësi.
Shfaqen dyshime për DIA
Pasi bordi i CEZ Shpërndarje refuzoi të miratojë marrëveshjen e 1 shtatorit 2010 me DIA, anëtarët e bordit kërkuan informacion nga Hejsek në lidhje me eksperiencën e DIA.
Ata kërkuan të dinin se cilët qenë pronarët e DIA dhe cila qe situata financiare e kompanisë si dhe çfarë eksperience të mëparshme kishte në mbledhjen e borxheve.
Pasi Hejsek ia kaloi kërkesën Ismailajt më 10 dhjetor 2010, DIA dërgoi një email te CEZ duke pretenduar se ajo ishte e vetmja kompani në Shqipëri me eksperiencë në mbledhjen e borxheve.
Ismailaj pretendoi se DIA ishte degë e Debt Advisory International LLC, një shumëkombëshe me seli në Uashinton D.C, e cila menaxhon portofole të mbledhjes së borxheve nëpër vendet në zhvillim.
Sipas Ismailajt, aksionerët e DIA më 2010 patën investuar më shumë se 2.5 miliardë euro në vendet në zhvillim dhe se kompania kishte kontrata për mbledhje borxhesh me dy bashki në Shqipëri – Shkodër dhe Lezhë – dhe shumë banka, mes të cilave, Raiffeisen, Emporiki Bank, Credit Agricole dhe banka Veneto.
Ismailaj pretendoi gjithashtu se Banka Qendrore e Shqipërisë pati audituar këtë kompani dhe i pati dhënë një vlerësim të pastër financiar dhe ligjor.
Gjithsesi, prokurorët që nga ajo kohë e kanë cilësuar të gjithë informacionin e dhënë nga DIA te CEZ si “tërësisht të falsifikuar”. Rezultoi se DIA nuk kishte lidhje me Debt Advisory International LLC, nuk kishte kontrata mbledhjesh borxhesh me bankat shqiptare dhe se Banka e Shqipërisë nuk e pati audituar kurrë atë.
Gjithsesi, ky informacion fals, përfshirë dhe informacionin e dërguar më herët nga DIA, bindi bordin mbikëqyrës së CEZ për të miratuar kontratën në takimin e saj në Pragë më 14 shkurt 2011.
Kompania ekzistonte vetëm në letër
Pas miratimit nga bordi i CEZ Shpërndarje, kontrata e firmosur mes DIA dhe kompanisë së energjisë elektrike u pajis me anekse.
Aneksi 8, një kopje e të cilit disponohet nga BIRN, ndan pagesën për DIA në dy tarifa, një tarifë fikse dhe një tarifë suksesi.
Tarifa fikse që CEZ duhej t’i paguante DIA ishte 512 mijë euro në muaj, ndërsa tarifa e suksesit bazohej në një numër koeficentësh të lidhur me rezultatet mujore të mbledhjes së borxheve.
Bazuar në këtë marrëveshje, 210 punonjës të CEZ Shpërndarje të cilët qenë përfshirë në mbledhjen e borxheve u transferuan nga CEZ për te DIA. Punëmarrësit të cilët nuk ranë dakord me transferimin u pushuan nga puna.
Marrëveshja dyvjeçare u nda në tri periudha mbledhjeje borxhi nga tetë muaj secila. Objektivi i periudhës së parë të mbledhjes së borxheve qe 18 milionë euro. Sipas kontratës, DIA merrte 512 mijë euro si kosto fikse, nëse mblidhte së paku 33.4 për qind të objektivit të 18 milionë eurove borxhe gjatë një periudhe 8 mujore.
Pagesa fikse mujore e 512 mijë eurove synonte të mbulonte të gjitha shpenzimet e brendshme dhe të jashme të DIA-s, përfshirë stafin, zyrat, makinat, teknologjinë e informacionit, sigurimet, taksat – praktikisht të gjitha kostot që kompania kishte nevojë për të operuar.
Megjithëse DIA punësoi disa nga punëtorët e pushuar nga CEZ, ajo nuk kreu asnjë nga investimet e premtuara dhe nuk siguroi materialet bazë për të cilat kishte nevojë për të kryer punën që kishte marrë përsipër.
Ish drejtori ekzekutiv i DIA Elvis Mataj tha në dëshminë e tij para prokurorëve se në dy muajt e parë, disa nga punëtorët përdorën makinat personale, paguan vetë për karburantin dhe pajisjet me idenë se do të kompensoheshin më vonë por kjo nuk ndodhi kurrë.
“Numri simbolik i punonjësve, mungesa totale e logjistikës, mungesa e urdhrave dhe udhëzimeve dhe metodologjisë së punës nga drejtoria qendrore të DIA, nuk justifikonin në asnjë mënyrë… detyrimin që ishte marrë përsipër,” shtoi Mataj.
Mataj i tha prokurorëve se Ismailaj nuk shfaqi ndonjë interes në mbledhjen e borxheve por vetëm në prodhimin e dokumenteve që justifikonin punën e identifikimit të debitorëve.
“Shumë herë ai më tha mua, ‘ti prodho letra dhe për pjesën tjetër merrem unë,’” rikujton ai.
Një ish punonjës i kompanisë i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se kostot e kompanisë qenë “maksimumi 50 mijë euro në muaj – Ismailaj futi në xhep pjesën tjetër”.
Sipas dëshmisë dhënë para prokurorëve nga Elvis Gjergji, mbikëqyrës i borxheve nga palët e treta në CEZ Shpërndarjë, DIA nuk qe e interesuar në mbledhjen e borxheve për shkak se marrëveshja siguronte që kompania të paguhej gjithsesi. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur rakordim për punën e kryer nga DIA. Sipas aktakuzës kompania raportonte si punë të gjitha pagesat e borxheve më të vjetra se 90 ditë nga institucionet shtetërore dhe shkollat, të cilat CEZ Shpërndarje po i mblidhte vetë.
Histori pastrimi parash
Kur prokurorët nisën një hetim mbi çështjen DIA më 2012, Ismailaj qe sakaq i njohur për ta.
Biznesmeni me bazë në Tiranë pati qenë në hetim që nga viti 2008 për pastrim parash në një numër transaksionesh të dyshimta që përhapeshin nga Ballkani në Malajzi, Ishujt Virgjin të Britanisë, Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Një nga kompanitë e tij të regjistruara në Tiranë, Adriatic Development Corporation LTD, pati marrë miliona euro transaksione të dyshimta nga kompani nga e gjithë bota nga viti 2007 deri më 2010.
Megjithëse kompania nuk kishte aktivitet të dukshëm, një padi penale e marrë nga BIRN thotë se gjatë një periudhe trevjeçare ajo mori 9.7 milionë dollarë dhe 800 mijë euro nga shumë kompani ndërsa transferoi jashtë vendit 4.13 milionë dollarë dhe 10,973 euro.
Një urdhër i Gjykatës së Tiranës më maj 2015 sekuestroi Adriatic Development Corporation Ltd dhe llogaritë e pesë kompanive të tjera të regjistruara nga Ismailaj në Shqipëri, përfshirë Debt Advisory International.
Prokurorët shqiptarë thonë se aktivitetet e pastrimit të parave të Ismailajt shtriheshin nga Ballkani në Britaninë e Madhe, Francë, Gjermani, Zvicër dhe Gjibraltar, Republikën Demokratike të Kongos, Pakistan, Kurdistan dhe Shtetet e Bashkuara – si dhe vende të tjera.
Ismailaj bashkëpunoi në pastrimin e parave me një bankiere amerikane me bazë në Afrikë, Rebecca Gaskin Gain.
“Rebecca Gaskin Gain siguron fonde nëpër botë dhe kërkon t’i pastrojë ato në Ballkan para se këto vende të rajonit të anëtarësohen në BE,” shkruajnë prokurorët shqiptarë në parashtrimin e hetimit, një kopje e të cilit u sigurua nga BIRN.
Gaskin Gain qe një ish menaxhere për Standard Bank në Kongo, një nga bankat më të mëdha të Afrikës së Jugut, besohet se e ka lidhur Ismailajn me operacionet ndërkombëtare të pastrimit të parave.
Një lajm i publikuar më 2009 te Neue Zürcher Zeitung, gazetë zvicerave, thotë se Ismailaj dhe Gaskin qenë përfshirë në privatizimin e errët të minierës Kipushi në Kongo përmes një kompanie guackë të regjistruar në Zvicër, United Resources AG.
United Resource AG dhe Gaskin Gain, shfaqen në të dhënat për transaksionet e Adriatic Development Corporation, të cilën prokurorët shqiptarë e sekuestruan.
Një burim në Tiranë, i cili zgjodhi të mbetet anonim, i tha BIRN se Ismailaj dhe Gaskin Gain u takuan në Ohër të Maqedonisë në vitin 2006, kur ai veproi si ndërmjetës në një marrëveshje privatizimi. Të dy pastaj ranë në dashuri.
“Ismailaj madje i premtoi asaj se ata do të kishin një fëmijë sëbashku,” tha burimi.
I njëjti burim tha se Gaskin Gain transferoi një pjesë të parave të fituara në marrëveshjen e Kipushit te Ismailaj pasi ky i fundit e bindi se interesat bankare në Shqipëri qenë më të larta. “Paratë që u sekuestruan qenë paratë e Rebecca-s,” shtoi ai.
Si shumë nga njerëzit me të cilët Ismailaj bëri biznes, Gaskin Gain përfundoi e bindur se biznesmeni shqiptar e pati mashtruar atë.
BIRN mësoi se ajo tashmë po bashkëpunon me autoritetet shqiptare, duke i ndihmuar për të çmontuar çështjen 130 milionë euroshe që Ismailaj ka ngritur në arbitrazh kundër CEZ Shpërndarje.
Kontrata në fund është zgjidhur
Megjithëse drejtuesit e CEZ qenë të vetëdijshëm se puna e DIA në termat e mbledhjes së borxheve qe tërësisht fiktive, Ismailaj u bë gjithnjë e më i vështirë për t’u kontaktuar në periudhën e parë të kontratës së mbledhjes së borxheve.
Një nga arsyet e sugjeruara për pakënaqësitë e CEZ me Ismailaj qe se ai nuk po i transferonte ryshfetet që pati premtuar zyrtarëve vendas por po i mbante paratë për vete.
“Në një rast, ai premtoi një ryshfet prej 500 mijë eurosh te komisionerët e Entit Rregullator të Energjisë për një vendim të favorshëm ndaj CEZ, por nuk e pagoi kurrë ryshfetin,” tha një ish punonjës i kompanisë për BIRN.
Ismailaj shpesh nuk u shfaq në takime me drejtorët e CEZ dhe i shtyu ato duke përdorur justifikime të dobëta.
BIRN mësoi se nga fundi i vitit 2011, pas një takimi në Vienë me Ismailajn dhe Gaskin Gain, CEZ kërkoi ta rriste objektivin e mbledhjes së borxheve nga DIA nga 18 në 45 milionë euro.
DIA e pranoi objektivin e ri por vendosi kushte shtesë për CEZ, të cilat bindën gjigandin e energjisë se tashmë qe koha për t’i dhënë fund bashkëpunimit me biznesmenin.
Më 28 nëntor 2011, CEZ Shpërndarje zyrtarisht njoftoi degën e DIA në Shqipëri se po e ndërpriste kontratën e mbledhjes së borxheve.
Pasi kontrata u ndërpre, Ismailaj ngriti padi duke kërkuar 130 milionë euro në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vienë.
Hejsek dhe Gaskin Gain i kthyen kurrizin Ismailajt dhe tashmë po bashkëpunojnë me autoritetet shqiptare në çështjen e Shqipërisë kundër tij.
Gaskin Gain përdori një prokurë përfaqësimi për të marrë pronësinë e DIA-s në Ishujt Virgjin të Britanisë, duke i hapur rrugën një beteje të re ligjore mes saj dhe Ismailajt në ishujt në Karaibe.
Ajo i ka dërguar gjithashtu një kërkesë Qendrës Ndërkombëtare të Arbitrazhit për të tërhequr çështjen kundër CEZ Shpërndarje. Gjithsesi, dhoma e arbitrazhit po pret rezultatet e gjyqit në Ishujt Virgjin mes Gaskin Gain dhe Ismailajt para se të vendosë nëse çështja do të çohet përpara apo do të arkivohet.
Të dhënat gjyqësore në Ishujt Virgjin Britanikë tregojnë se një vendim mbi mosmarrëveshjen mbi pronësinë e DIA mes Gaskin Gain dhe Ismailajt pritet në korrik 2015.
Më 12 maj, bazuar në urdhërin e gjykatës së Tiranës, policia e arrestoi Ismailaj në Tiranë. Ai u akuzua për një listë të gjatë krimesh financiare që varionin nga mashtrimet e rënda te pastrimi i parave.
Ai raportohet se u arrestua në apartamentin e nënës së tij në Tiranë, duke u fshehur në ballkonin e banesës. Kur policia hyri në banesë për ta arrestuar atë, ata zbuluan një numër dokumentesh false që ai po i përgatiste për çështjen e arbitrazhit në Vienë.
Nuk qe i vetmi mbledhës borxhesh mashtrues
DIA e Ismailajt nuk qe kompania e vetme që u angazhua në skemën e mbledhjes së borxheve të CEZ në Shqipëri.
Një raport konfidencial i përgatitur nga kompania e kontabilitetit BDO, një kopje e të cilës u sigurua nga BIRN, thotë se CEZ Shpërndarje hyri në marrëveshje për mbledhjen e borxheve më 2012 me së paku katër kompani të tjera, përfshirë Mercl Consulting Sh.p.k, CE2 Services Sh.p.k, CE2 Debt Management Sh.p.k dhe CE2 Debt Management Sh.p.k.
Raporti i BDO vëren se për nëntë muajt e parë, deri në shtator 2012, kompanive iu paguan në total 421,476,564 lekë [3 milion euro] dhe totali për vitin 2012 pritej të ishte 4.4 milionë euro.
Sipas BDO, këto kompani merrnin një pagesë “suksesi” prej 28 deri në 50 për qind të borxhit të mbledhur, gjë që duket se ishte “tepër e lartë”.
“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar se këto kompani mbledhjesh borxhesh duket se janë punësuar pa asnjë proces konkurrues tenderimi,” vërejti BDO.
BDO vërejti edhe një seri problemesh të tjera me kontratat e CEZ Shpërndarje për mbledhjen e borxheve.
Kompania audituese vërejti se kontratat me MERCL dhe DIA qenë nëshkruar nga administratorët e CEZ Sh.a, konkretisht Hejsek dhe Ian Ivan, dhe jo nga bordi mbikëqyrës.
Pavarësisht se deklaronte se kishte mbledhur sasi të stërmëdha parash, MERCL pati vetëm një punonjës të regjistruar, gjë që e bën të pagjasë që të qe në gjendje të ofronte shërbime kontraktuale te CEZ Sh.a.
Asnjë dokument nuk është parë në lidhje me ndonjë shërbim të ofruar nga MERCL. Ne nuk kemi qenë në gjendje të gjejmë asnjë dokument që të tregojë sasinë e parave të mbledhura si pasojë e aktivitetit të saj.
CEZ Sh.a nuk qe në gjendje të jepte asnjë provë se çfarë borxhesh qenë mbledhur nga kompanitë e mbledhjes së borxheve.
Në vend të kësaj, ajo mblodhi informacion nga sistemi i faturimit, duke supozuar se të gjitha të ardhurat që fitonte pas pagesave të faturave qenë rezultat i punës së kompanisë së mbledhjes.
“Qeveria e Shqipërisë dyshon se këto Marrëveshje Mbledhjesh Borxhesh qenë një skemë e organizuar për të zhvatur CEZ Sh.a nga punonjës brenda saj,” shkruan BDO.
“Dyshimi bazohet te fakti se CEZ Sh.a e deklaroi veten në vështirësi financiare, gjë që e vuri atë në pamundësi për të realizuar planin e vet të investimeve, megjithatë ajo vijoi të paguajë 50 për qind të borxhit të mbledhur te kompanitë e mbledhjes së borxheve,” shton ajo.
Sipas BDO, menaxhimi i Çek i kompanisë së shpërndarjes qe katastrofik, ndoshta kriminal.
Ndërsa vlera e kompanisë në momentin e privatizimit qe 102 milionë euro, në fund të vitit 2012 ajo qe praktikisht e pavlerë.