Këshilli i Ministrave kërkoi sot rrëzimin e një projektligji të propozuar nga deputeti demokrat Gert Bogdani dhe shoqëria civile për shitjen me çmim të lirë të energjisë për familjet në nevojë. Por ky vendim i qeverisë është kundërshtuar nga deputetët e Komisionit për Punën Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë. Deputetët e LSI-së dhe PDIU-së kanë bashkuar votat me opozitën për të kundërshtuar këtë shkresë të këshillit të Ministrave. E para që e kundërshtoi këtë nismë të qeverisë, ishte kryetarja e grupit parlamentar të PDIU-së, Mesila Doda.
“Qeveria të sjellë ekspertët e saj, në bashkëpunim me deputetin Bogdani por edhe shoqërinë civile që e ka sjellë këtë ligj, të zgjidhë çështjen. Kështu veprohet nëse duam të zgjidhim punë, në të kundërt hajdeni të bëjmë debat politik. Ne si grup parlamentar jemi gati të votojmë këtë nismë të sjellë këtu nga z. Bogdani dhe shoqëria civile”, tha Doda.
Deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, mbështeti qëndrimine Dodës dhe komisioni vendosi të zhvillojë një tjetër mbledhje dhe të thërrasë për sqarime Ministritë e linjës për të sqaruar këtë projektligj.