“Petrit Ç. ka kryer vepra shumë të turpshme me vajzën time 5 vjeç dhe jo vetëm me të. Gjykata e Dibrës gaboi rëndë që e liroi pedofilin. Jam shumë e tronditur nga ky vendim, por nuk kam se çfarë të bëj, pasi jam grua dhe nuk kam asnjë mbështetje. Po rris tre fëmijë jetimë dhe nuk kam para për të shkuar e trokitur në dyert e gjykatave. Gjyqtarëve që lanë të lirë personin që abuzoi seksualisht me time bijë, u kam lënë Zotin”. Kështu ka deklaruar dje Gëzime Hoxha, banuese në lagjen “Minatori” të qytetit të Bulqizës. Reagimi i 33- vjeçares ka ardhur pak ditë pasi gjykata e Shkallës së Parë e Dibrës la të lirë 43- vjeçarin.
E indinjuar, nëna e tre fëmijëve pohoi për “Gazeta Shqiptare” se vendimi i gjykatës është skandaloz. Sipas saj, trupi gjykues nuk ka marrë parasysh as dëshmitë e dhëna nga dëshmitarët e ngjarjes.
“Fqinji im e ka mashtruar time bijë me një qese me fara dhe me gjëra të tjera që ai i kishte blerë në dyqan. E ka joshur dhe më pas e ka dërguar te bodrumi i pallatit. Në bodrum ai mbante një divan, ku ka kryer vepra të turpshme (nuk mi nxë goja t’i them) me vajzën time të mitur. Ishin komshinjtë që më njoftuan. Unë e pyeta vajzën në shtëpi dhe më tregoi për veprimet e Petrit Ç.t. Më pas ajo kishte frikë të dilte jashtë derës së shtëpisë. Unë menjëherë shkova dhe bëra denoncim në polici”, tha Gëzime Hoxha. “Unë nuk kapem dot me gjykatën. Vëllezërit i kam në emigracion. Të afërmit e tjerë i kam larg, ndërsa jam dhe grua pa burrë”, pohoi 33-vjeçarja. Ndërkaq, “GSH” kontaktoi edhe me punonjësen e shërbimit social, Flogerta Koçi, e cila u shpreh se vajza ka rrëfyer para saj dhe policisë për veprimet e turpshme të 43- vjeçarit. Jo vetëm kaq, pot Koçi i siguroi “Gazeta Shqiptare” raportin e saj në lidhje me rastin në fjalë. Raport ky, që është paraqitur në Gjykatën e Dibrës.
RAPORTI I PUNONJËS SOCIALE
Po ju dërgojmë informacion përsa i përket rastit të fëmijë së familjes Hoxha Familja Hoxha jeton në qytetin e Bulqizës. Që prej një viti familja ka pasur probleme sociale, gjë e cila shkoi deri në divorcim të dy bashkëshortëve. Mbas kësaj gjykata vendosi që kujdestarinë e tre fëmijëve ta ketë e ëma e tyre, Gëzimja. Familja aktualisht përbëhet nga katër anëtarë: Gëzimja dhe tre fëmijët e saj përkatësisht: Vajza: O. H. 18.07.2009 Djali: M. H. 24.07.2008 Vajza: E. H. 21.10.2011 Familja Hoxha që pas divorcit ka pasur probleme të shumta sociale dhe ekonomike. Fëmija i parë i familjes Hoxha, vajza O., vuan nga çrregullime të spektrit të autizmit e për këtë ajo merr një pagesë paaftësie dhe njëkohësisht dhe e ëma e saj paguhet si kujdestare e vajzës.
Gjithashtu, familja trajtohet dhe me ndihmë ekonomike pranë bashkisë sonë me shumën 3877 lekë në muaj. Familja herë pas herë ka kërkuar ndihmën tonë si Shërbim Social për problemet e saj sociale dhe ne i kemi ardhur gjithmonë në ndihmë, kryesisht fëmijëve. Janë kryer vizita të herëpashershme në familje. Përsa i përket rastit të ngacmimit seksual ndaj fëmijës së mitur, ditën e martë, datë 11.04.2016, rreth orës 11 jam telefonuar nga Komisariati i Policisë Bulqizë si punonjëse e mbrojtjes së fëmijëve për të qenë prezente atje, pasi kishim të bënim me një ngacmim seksual me një të mitur.
Pasi e diskutuam me drejtoreshën, vendosem që unë të shkoj në komisariat siç e parashikon dhe ligji 10347 “Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve” pëe të tilla raste, pasi fëmija duhet të merret në pyetje në prezencë të psikologut dhe punonjësit për mbrojtjen e fëmijëve. E ëma e fëmijës denoncoi komshiun e saj për ngacmim seksual ndaj vajzës së saj 5-vjecare. Ajo u shpreh se “një ditë pasdite rreth orës pesë, fëmija po luante në oborrin e pallatit, ndërsa unë ndodhesha në shtëpi. Kur vjen fëmija, e pyes ku ishte dhe çfarë kishte bërë. Më tregoi që kishte qenë në bodrumin e shtëpisë së komshiut dhe tregonte duke qeshur për veprimin e turpshëm të zotërisë”. Por edhe vetë fëmija në prezencë të psikologes dhe të oficerit gjyqësor tregoi çfarë kishte ndodhur atë ditë me të.
Tregoi me saktësi që komshiu kishte bërë atë veprim me të. Menjëherë është bërë arrestimi i abuzuesit. Përsa i përket Shërbimit Social, ka realizuar detyrat e tij, ku në rastin në fjalë interesi më i lartë është te fëmija, te mirëqenia e tij. Kjo është arritur duke kryer vizita të herëpashershme në familjen e fëmijës dhe është takuar disa herë dhe me vetë fëmijën për të parë gjendjen e saj. Rezulton që fëmija fatmirësisht është në gjendje të mirë shëndetësore dhe psikologjike. Nga ana jonë si Shërbim Social janë kryer të gjitha veprimet e duhura për mirëqenien e fëmijës.
Balkanweb/GSH/ Përgatiti informacionin Specialistja e Mbrojtjes së Fëmijëve Flogerta KOÇI