Studentët dhe stafi akademik do t’u drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur drejtuesit e rinj të universiteteve, fakulteteve si dhe anëtarët e senateve, shkruan Gazeta Shqiptare. Për Universitetin e Tiranës do të ngrihen 10 komisione zgjedhore në fakultet dhe për çdo 1 mijë studentë do të ketë një qendër votimi. Qendrat e votimit do të hapen në orën 08:00, ndërsa afati i përfundimit është ora 16:00. Gara për rektor në 14 institucionet e arsimit të lartë publik është shumë e fortë, por ajo për rektorin e Universitetit të Tiranës ka qenë edhe më e tensionuara dhe më e përfolura. Në garë për postin e rektorit të UT, janë dy kandidatura, prof.Klodeta Dibra dhe prof.Mynyr Koni.
Procesi
Sipas kryetares së Komisionit Institucional Zgjedhor (KIZ) të UT, Majlinda Keta, materialet zgjedhore janë gati, po ashtu edhe masat e sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë marrë në bashkëpunim edhe me Policinë e Shtetit. “Fletët e votimit janë bërë gati, janë marrë masat për mbarëvajtjen e procesit në çdo fakultet, edhe në filialet e Sarandës dhe Kukësit. Kam pasur një komunikim dhe me drejtorin e Policisë së Shtetit, Çako dhe forcat e policisë në bazë dhe të komisariateve që përfshinë zonat ku ndodhen fakultetet e UT do jenë patrullim dhe në gatishmëri, nëse trupa akademike dhe komisionet do kenë nevojë për ndërhyrjen e policisë”, theksoi për “GSH” kryetarja e KIZ, Majlinda Keta. Sipas saj, ditën e heshtjes zgjedhore nuk ka pasur ndonjë problem, me përjashtim të problemit të hedhjes së parullave kundër kandidatit për rektor Mynyr Koni në tri fakultete të UT, mbrëmjen e së hënës. “Të martën nuk kemi pasur asnjë lloj incidenti. Në terren kemi pasur vëzhguesit e Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane dhe vëzhguesit nga Koalicioni për Zgjedhje të Lira dhe të Ndershme, të cilët kanë përpiluar edhe raportin paraprak. Materialet e votimit, qendrat e votimit, çdo gjë është gati. I vetmi incident që mund të quhet ka qenë ai tek Ekonomiku, Shkencat Sociale dhe Shkencat e Natyrës, kur në pasditen e së hënës, pra në datë 18 prill, janë hedhur parulla kundër kandidatit Koni. Por, parullat u hoqën menjëherë dhe mëngjesin e së martës çdo gjë ka qenë e qetë”, sqaroi kryetarja e KIZ, Keta. Sa u përket vëzhguesve të kandidatëve, Keta sqaroi se ditën e djeshme, kandidatja për rektore, Dibra, ka akredituar emrat e tyre, pasi kishte vetëm një vëzhgues të zyrtarizuar, por ditën e fundit, pra në 19 prill, kandidatja për rektore akreditoi pranë KIZ 64 vëzhgues, të cilët do jenë të ndarë nëpër 6 fakultetet e Universitetit të Tiranës. “Ditën e martë në orën 20:00 nis procesi i shpërndarjes se materialeve të votimit në çdo qendër votimi. Votimi nis në orën 08:00 dhe sipas rregullores, mbyllet në orën 16:00. Por, nëse ka persona që presin jashtë për të votuar, normalisht që qendrat e votimit do vijojnë të jenë të hapura sa të ushtrojë të drejtën e votës edhe votuesi i fundit. Më pas nis procesi i numërimit dhe besojmë se brenda ditës të kemi rezultatin për rektorin e ri”, tha Keta.
Kandidatët
Rektorët e rinj të universiteteve publike dhe drejtuesit e njësive kryesore (dekanët) do të përcaktohen nga votimi i 20 prillit, nga vota e stafit akademik dhe studentëve, vota e të cilëve llogaritet në masën 10%. Në UT garojnë për rektor kandidatët Klodeta Dibra dhe Mynyr Koni. Në garën për rektor të Universitetit Politeknik është dekani i Arkitekturës dhe Urbanistikës, Andrea Maliqari; dekani i Fakultetit të Gjeologji-Minierave, Përparim Hoxha si dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, Andonaq Londo Lamani. Në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, për rektor garojnë kirurgu Arben Gjata, i cili mban aktualisht këtë post; dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Mira Rakacolli si dhe kardiologu Petrit Bara, dekani i Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike. Në Universitetin Bujqësor garon Ardian Maçi dhe Bahri Musabelliu. Në Universitetin e Arteve në garë për postin e rektorit është Kastriot Çaushi, Artan Peqini dhe Fatmir Hysi. Ndërsa tek Universiteti i Sporteve garojnë për rektor Agron Cuka dhe Artan Shytaj. Në Universitetin e Durrësit garojnë tre persona për postin e rektorit, Elmaz Leci, Ksenela Sotirfoksi, Bardhyl Ceku. Në Universitetin e Vlorës garojnë dy, Bilal Shkurtaj dhe Roland Ziso. Në Shkodër garojnë dy kandidatë, Arjeta Dibra dhe Adem Bekteshi. Në Universitetin e Elbasanit kandidon për rektor vetëm një kandidat, Skënder Topi. Dy kandidatët që garojnë në Universitetin e Gjirokastrës për postin e rektorit janë Kostaq Hila dhe Bektash Mema. Në universitetin e Korçës, garojnë Ali Jashari dhe Lorenc Konomi.
BW