Është zhvilluar në Ministrisë e Transportit dhe Infrastrukturës, analiza vjetore e kompanisë që ka marrë me koncesion shërbimin e kontrollit teknik të automjeteve “SGS”.
Ministri Edmond Haxhinasto, i cili mori pjesë në analizë, tha se puna e realizuar nga “SGS”, ka rëndësi të madhe jo vetëm për sigurinë e automjeteve, por edhe si burim të dhënash për përmirësimin e politikave të sektorit të transportit.
Haxhinasto tha se objektivi madhor është që të përmirësohen shërbimet ndaj qytetarëve. Lidhur me këtë, ai i kërkoi kompanisë të marrë masat e nevojshme për shpërndarjen gjatë vitit të fluksit të jashtëzakonshëm të muajve nëntor– dhjetor, si dhe përmirësimin e efikasitetit në testim.
Kreu i MTI-së, Haxhinasto shprehu domosdoshmërinë për të luftuar korrupsionin dhe evazionin e punonjësve në procesin e testimit, pasi theksoi ai, këto shkelje mund të përkthehen në jetë të humbura në rrugë.
Haxhinasto, kërkoi gjithashtu shpërndarjen proporcionale të investimeve që realizohen nga “SGS”, me qëllim që cilësia e shërbimit të përmirësohet jo vetëm në Tiranë, por edhe në qendrat e tjera të “SGS” në bashkitë e tjera të vendit.