Deputetja socialiste, pedagoge e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi ka folur sot për procesin zgjedhor në universitete. Nga studio e emisionit “Natë me Xhaxhiun” në News 24, deputetja Hafizi tha se nëse kërcënimi ndaj dy kandidatëve për rektor Kule dhe Koni do të ishte i vërtetë, kjo do të ishte një ngjarje e paprecedentë. Por Hafizi ka folur për një tjetër çështje, që e ka denoncuar vazhdimisht, atë të të fortëve brenda Universitetit. Deputetja tregon se çështjen e zgjedhjeve në universitet e ka ngritur edhe në mbledhjen e grupit të PS, por ka dalë e pakënaqur nga përgjigjet.
Nëse rezulton se kërcënimi ka qenë i vërtetë a mund të themi se zgjedhjet në UT vihen në rrezik
Do të ishte ngjarje e paprecedentë. Pikërisht këtë e kam shtruar edhe në grupin parlamentar sot sepse ishte një shqetësim që vjen nga bota akademike. kërkova informacion nga anëtarët e qeverisë. Për këtë arsye ngrita zërin sepse mendova se duhet të kishte informacion. U tha që çështja është në shqyrtim, është në prokurori e ndërkohë pati edhe Ministrja e Arsimit dhe Kryeministri thanë që kanë patur kontakte me zotin Kule dhe përgjigjja e zotit Kule shumë pozitive. Ka qenë mirënjohës për telefonatat. Në fakt mua mu duk e pamjaftueshme por si duket çështja është në shqyrtim dhe si duket është prokuroria që e ka në dorë.
Incidenti tek Fakulteti i Shkencave të Natyrës, iu vu zinxhiri dyerve qendrore, si e komentoni?
Kjo ishte çështja që e ngrita në mbledhje grupi sepse ka pasur denoncim nga kandidatja tjetër e UT, zonja Dibra që rregullat e zhvillimit normal të fushatës po thyhen. Ishte ngjarja e FSHN, por sot kishte dhe kërcënime për presione ndaj pedagogëve dhe studentëve dhe unë pikërisht këtë kërkova nga qeveria. Sepse qeveria dhe MAS e ka për detyrë që të kontrollojë zbatueshmërinë e ligjit në universitet. Është një nga nenet themelore të ligjeve të shtetit. Në rastin e zgjedhjeve universitare përgjegjësia shtohet edhe më tepër sepse është Ministrja e Arsimit që harton edhe rregulloren e zgjedhjeve. Prandaj kërkova të di çfarë po bëhet që të krijohet një klimë normale në universitete.
Përgjigjja ishte që klima ishte shumë e mirë. Këtë klimë e kam provuar para 4 vitesh kur kam qenë kandidate. Në atë kohë ndikimi i politikës ka qenë shumë i madh.
Situatën zgjedhore në universitet e kam me indikatorë të pjesshëm.
E shikoni si të frikshëm transplantimin e të njëjtit model të të fortit, të atij që ka mbështetjen e bandave edhe mes akademikëve?
Është e para herë që modeli i të fortit në universitet po imponohet nga jashtë, nëse është e vërtetë. Do kisha dashur të kisha një konkluzion nga organet e drejtësisë. Është e para herë në historinë universitare që i forti nga jashtë hyn në universitet.
E kam vrarë mendjen 2 ditë dhe kam kërkuar ‘çfarë do një i fortë në Universitet’. Akoma nuk e kam gjetur.
Kurse ajo që po ndodh në universitete, që unë me thënë të drejtën e kam denoncuar është një model që po kalcifikohet, modeli i të fortit brenda Universitetit, në botën akademike. Pra, i forti i quajtur profesor, i forti i quajtur asistent profesor ose i forti që është menaxher i universitetit, janë modele që i kam denoncuar.
Rasti “Koni-Kule”, a po kthehen zgjedhjet në UT në një arenë ku përplaset politika e ditës?
Nuk mund ta them se me të vërtetë më mungon informacioni, sepse nuk kuptoj arsyen.
A ishte demokracia zgjedhore, rruga më e mirë për universitetet tona?
Pyetja që e shtrojmë vazhdimisht këtë mes kolegëve. Kam qenë zv.ministre e Arsimit dhe kemi miratuar zgjedhjet e para në universitete në vitin ‘99. Në një farë mënyre e quaj veten autore të këtij procesi. Modelet e zgjedhjeve në universitete janë modele të pranueshme në botën akademike dhe universitare siç është edhe autonomia universitare. Ngjarja e fundit është fundi i fundit. Nuk e di si mund të shkojmë më poshtë se kaq.