Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë të ditur se më në fund ka një afat të saktë për fillimin e punimeve për ndërtimin e stadiumit të ri në Tiranë, që do të zërë vendin e impiantit ‘Qemal Stafa’.
Edhe pse në tenderin e fundit të organizuar nga FSHF u paraqit vetëm një kompani, duket se ajo ka dorëzuar një projekt cilësor, i cili do të prezantohet gjatë javës së ardhshme, për të nisur menjëherë punën për prishjen e impiantit ekzistues dhe për ndërtimin e të riut.
‘Javën e ardhshme, më datë 21 prill, Federata Shqiptare e Futbollit do të bëjë edhe prezantimin e projektit të ri të stadiumit në Tiranë. Kur nisin punimet? Në prezantim do të bëhet edhe firmosja e kontratës dhe punimet do të nisin menjëherë, një ose dy ditë pas finalizimit të marrëveshjes”, tregoi Duka, duke lënë të kuptohet se tashmë ky projekt madhor i infrastrukturës sportive nuk do të ndeshte më në pengesa dhe burokraci që e kanë shtyrë prej shumë vitesh.
Ndërtimi i stadiumit të ri pritet të zgjasë rreth dy vjet, ndaj kombëtarja shqiptare do të luajë në Shkodër dhe Elbasan të gjitha ndeshjet e eliminatoreve të Botërorit 2018.