Pas padisë së shtetasit M.C, Prokuroria e Pogradecit ka çuar për gjykim kreun e INUK, (sot IKMT) Dallëndyshe Bicin dhe Fatmir Metën.
Dy zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre, ndërsa denoncuesi i ka paditur për shkatërrim prone pavarësisht se dispononte dokumentacionin e plotë.
Po sipas kallëzuesit, pas prishjes së ndërtesës, ai nuk është përfshirë në skemën e dëmshpërblimit në formën e shpronësimit publik.
Në bazë të veprimeve hetimore, Prokuroria e Pogradecit ka arritur të faktojë se godina në pronësi të kallëzuesit ka qenë e pajisur me lejen e ndërtimit nga organet kompetente. Po ashtu, ditën e ndërhyrjes së inspektorëve të IKMT për prishjen e godinës, në dt. 20.09.2014, pronarit të ligjshëm të saj nuk i është vënë në dispozicion asnjë akt administrativ përkatës.
Një akt i tillë për prishjen e godinës së shtetasit M.C., nuk gjendet as në arkivin dhe protokollin e IKMT-së në Tiranë.