Kandidatët demokratë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, u përballën të enjten në një debat të nxehtë, përpara zgjdhjeve të së martës në New York, që përbëjnë një pikë kyçe për garën finale për Shtëpinë e Bardhë.
Dy kandidatët u përplasën për bankat e Wall Street, kontrollin e armëve apo pagën minimale. Tensionet sa vijnë e shtohen, ndërsa rivalët thumbuan njëri-tjetrin, nëse janë të kualifikuar për detyrën e Presidentit.
Bernie Sanders, Kandidat për president: “A ka Sekretarja Klinton përvojën dhe inteligjencën për tu bërë presidente? Sigurisht që e ka. Por unë vë në dyshim gjykimin e saj, një gjykim që ka votuar pro luftës në Irak, një gjykim që ka votuar marrëveshje që na kanë kushtuar, mijëra vende pune.”
Por përgjigja e ish-Sekretares amerikane nuk vonoi.
Hilary Clinton, Kandidate për president: “Senatori Sanders më quajti të pakualifikuar. Më kanë etiketuar në forma të ndryshme në jetën time, por kjo ishte hera e parë për mua. Unë mendoj se të gjesh probleme dhe gabime është e thjeshtë, por të veprosh për ta zgjidhur është komplet diçka tjetër.”
Gjithësesi në ndryshim nga republikanët, kandidatët demokratë refuzuan të sulmojnë njëri-tjetrin në çështje personale, apo familjare. Berni Sanders ka fituar në 8 në 9 sfidat e fundit përballë Hilary Clinton, e cila gjithësesi mbetet qartësisht në avantazh ndaj rivalit të saj.