Para Gjykatës Themelore në Prishtinë, në mesditën e të premtes do të dalin pesë të akuzuarit për rastin e Badocit, ku akuzohen me veprën penale të veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Më 24 mars është mbajt seanca e shqyrtimit gjyqësor ndaj të akuzuarve, ku është paraqitur fjala hyrëse e Prokurores së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Drita Hajdari, si dhe fjalët hyrëse të avokatëve.
Në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, të gjithë të akuzuarit janë shprehur se ndihen të pafajshëm për veprat me të cilat ngarkohen.
Të akuzuarit, Besnik Latifi, Gazmend Haliti, Milazim Haxhiaj, Fehmi Musa dhe Enis Latifi dyshohet se te liqeni i Badocit kanë dashur të incizojnë një video propaganduese dhe të lexonin betimin ndaj liderit të ISIS-it.
Edhe pse mbrojtësit e të akuzuarve kërkuan ndërprerjen e masës së paraburgimit, për të zëvendësuar atë me një masë tjetër, kërkesa u refuzua edhe nga prokurorja por edhe nga Trupi Gjykues, i drejtuar nga Gjyqtarja, Valbona Musliu-Selimaj.