Agjenti i mbrojtësit shqiptar, Elseid Hysaj, flet sërish në mediat italiane për të ardhmen e lojtarit shkodran që aktivizohet te Napoli ku u transferua gjatë verës së shkuar.
Në intervistën dhënë për “Radio CRC”, Mario Giuffredi theksoi se Hysaj ndihet shumë mirë te Napoli dhe dëshiron të qëndrojë, por çështja ekonomike do të rishikohet. Ai shtoi gjithashtu se pas një viti, mbrojtësi shqiptar tregoi se di të luajë edhe në nivele të larta por deri në këto momente nuk është takuar me drejtuesit e klubit të kaltër.
“Momentalisht skuadra është e përqëndruar te objektivat sezonalë por në fund të kampionatit do të gjejmë një zgjidhje”, thekson agjenti i mbrojtësit kuqezi që lë të hapur çdo alternativë.
Gjatë javëve të fundit, emri i Hysajt është përmendur nga media të ndryshme, pasi sezoni pozitiv që po zhvillon ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve të mëdha ku në radhë të parë qëndrojnë Atletico Madrid e Chelsea.