Parlamenti Evropian kritikoi Qeverinë shqiptare mbi planet për ndërtimin e hidrocentraleve dhe i bëri thirrje të marrë në konsideratë zonat e mbrojtura dhe zonat e tjera natyrore të ndjeshme, në veçanti parqet kombëtare. Në Raportin e Komisionit të Zgjerimit që u miratua nga Parlamenti Evropian, lumi Vjosa përmendet në veçanti. Parlamenti Evropian “i bën thirrje Qeverisë shqiptare të kontrollojë zhvillimin e hidrocentraleve në zonat e ndjeshme mjedisore si në lumin Vjosa ashtu dhe në zonat e mbrojtura për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese.” (Pika 22 në Raportin e Zgjerimit të BE).
Parlamenti Evropian i ka rekomanduar Qeverinë shqiptare të rishikojë planet për ndërtimin e hidrocentraleve në Vjosë dhe degët e saj në Progres Raportin e BE vitin e kaluar.
Megjithatë, në kundërshtim me këtë kërkesë, Qeveria shqiptare ka ftuar së fundmi investitorët për të ndërtuar një hidrocentral të madh në Vjosë
“Hapja e tenderit për ndërtimin e një hidrocentrali të ri në Vjosë na befasoi, pasi kryeministri Rama kishte sugjeruar gjithashtu mbrojtjen e këtij lumi kaq unik. Për më tepër, nuk është bërë një studim i thelluar sipas standardeve të njohura ndërkombatrisht në lidhje me ndikimin që ky projekt do të kishte në natyre” thotë Gabriel Schwaderer, drejtor i Fondacionit për Ruajtjen e Natyrës, EuroNaur.
Për më tepër, BE i bën thirrje Shqipërisë të përmirësojë standardet e Raporteve të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis si dhe të përfshijë dhe informojë më shumë publikun në procesin e planifikimit. “
Ky pozicionim i Parlamentit Evropian mbështet punën tonë në Shqipëri. Megjithatë është e rëndësishme që Qeveria Shqiptare të mos i injorojë këto kërkesa. Në vend të hidrocentraleve të planifikuara ne kërkojmë shpalljen e gjithë Vjosës park kombëtar, duke shpallur kështu Parkun e parë të Lumit të Egër në Evropë”, thotë Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës”.
Ky vizion mbështetet gjithashtu dhe nga komuniteti lokal. Pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive dhe komunave kanë firmosur një peticion për shpalljen e luginës së Vjosës Park Kombëtar dhe kundër ndërtimit të hidrocentraleve. Vjosa është një thesar për gjithë Evropën.
Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë pa përfshirë Rusinë. Nga burimi në malet e Pindit në Greqi deri në grykëderdhjen në detin Adriatik rrjedh e lirë dhe paprekur. Në disa zona shtrati i lumit arrin në më shumë se 2 km gjerësi. Nga ana shkencore, ky lumë është pothuaj i pa eksploruar. Megjithatë qeveria planifikon të ndërtojë diga në zonën me vlera më të larta ekologjike. “Mesazhet e Rezolutës së fundit të Parlamentit Evropian në lidhje me lumin Vjosa tregojnë në mënyrë tashmë të përsëritur se shqetësimi ndërkombëtar është në rritje. Vjosa nuk përbën vetëm një aset të natyror të Shqipërisë por një thesar në trashëgiminë natyrore të familjes Evropiane ku ne synojmë të integrohemi”.