Dhjetëra prindër në Shqipëri po refuzojnë vaksinën e fruth-rubeolës për fëmijët e tyre 1-vjeçare. Kështu raportonte Vizion Plus. Debatet në mbarë botën se ajo stimulon autizmin, po shkaktojnë frikë edhe tek familjet e reja shqiptare. Në vendin tonë, Tirana mban rekord sa i përket refuzimeve të vaksinës së fruthit.
Në qendrat shëndetësore, mjekët tregojnë se është rritur numri i prindërve që kundërshtojnë kryerjen e këtij injeksioni. Por specialistë të Institutit të Shëndetit Publik, sqarojnë se pasojat tek të pavaksinuarit janë fatale deri në humbje jete. Por ky është një debat që bëhet në mbarë botën.
Ditët e fundit, aktori i njohur, Robert De Niro, deklaroi se do të tërheqë nga festivali i Tribeca-s një film kontrovers për këtë vaksinë.
De Niro, që ka themeluar këtë festival të filmit, deklaroi se filmi i doktorit britanik, Andrew Wakefield, “Vaxxed” nuk i kontribuon diskutimeve për lidhjen mes vaksinës dhe autizmit.
Wakefield ka kryer një studim, ku pretendon se ka një lidhje mes vaksinave dhe shtimit të rasteve të autizmit.
Por pretendimet e tij nuk janë mbështetur në asnjë rast nga komuniteti shkencor.
Megjithatë ekziston një teori konspirative, e cila thekson se kompanitë e mëdha farmaceutike po e mbajnë të fshehtë këtë lidhje.
Të mërkurën, De Niro, ka folur për vendimin e tij për të hequr filmin nga festivali duke u shprehur se eshte penduar.
Aktori i njohur, që ka vetë një fëmijë autik, tha se i vjen keq për vendimin që ka marrë.
“Unë thjesht dua që njerëzit të shohin filmin dhe të vendosin vetë”, tha 72-vjeçari gjatë një interviste.
“Le të gjejmë të vërtetën. Thjesht të gjejmë të vërtetën”.
Aktori ka një djalë 18-vjeçar me autizëm.
“Ka shumë gjëra që nuk janë thënë. Por askush nuk do të flasë për këtë. Unë nuk jam kundër vaksinave, por jam pro vaksinave të sigurta. Ka shumë debat për këtë çështje. Kjo për shkak se ka shumë njerëz që thonë se fëmija e tyre ka ndryshuar brenda natës pas vaksinës. Gruaja ime më thotë se kështu ka ndodhur edhe me djalin tim. Unë nuk e mbaj mend, por fëmija im është autik. Unë, si prind i një fëmije me autizëm jam i shqetësuar dhe dua të di të vërtetën”.
MMR është vaksinë imunizimi kundër fruthit, rubeolës dhe shytave. Ajo është një përzierje e tre viruseve të gjalla dhe aplikohet mes injektimit.