Deputeti Taulant Balla tha se opozita mendon vetëm të pengojë vënien në zbatim të Ligjit të Dekriminalizimit.
“Ju jeni si prifti që thotë bëni si them unë, po mos bëni si bëj unë. Sjellja juaj kundërshton gjithçka që thoni”, tha Balla.
“Çohet një deputet këtu e pa pikë turpi thotë që kisha këllëf, pastaj që është fotomontazh”, tha deputeti socialist duke iu referuar demokratit Strazimiri.
“Ka ardhur koha të flasim troç. Ndryshimet që ju propozoni nuk kanë asnjë vlerë, janë vetëm përpjekje për të ndaluar implementimin e ligjit. Kështu siç është ligji është mjaft i mirë për të kapur realisht personat me rekorde kriminale”.
Balla përmendi demokratin Arben Ristani si njeri i dënuar më parë për korrupsion.
“Arben Ristani, gjyqtari i cili me vendim gjykate dhe urdhër të lartmadhërisë së tij Sali Berisha, atëherë president, është arrestuar e dënuar për korrupsion”, tha Balla.
Balla thumboi edhe ish-kryeministrin Sali Berisha, të cilin e quajti si “i vetmi kryeministër për të birin e të cilit Hollivudi bën film”.
“Keni parë ndonjëherë kryeministër që t’i bëjnë film për të birin? Kur të dalë në kinema, do t’i propozojmë kryetarit të kuvendit të blejë bileta për të gjithë grupin tuaj e ta shihni”, tha Balla.