Bashkia e Tiranës ka inauguruar rrugën e rikosntruktuar te pallati i Kongreseve. Në një ceremoni të posaçme Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj deklaroi se çdo investim që do të bëhet në infrastrukturën rrugore në qytet do të ketë korsinë e caktuar për biçikleta.
“Ky është një investim në infrastrukturë e kulturë. Falenderim për Artan Shkreli, që ka mbikëqyrur punimet në këto projekte që ne sigurohemi që cdo rrugë e re të ketë korsinë e biçikletave. Transformimi i Tiranës kërkon sakrificën nga ata që përdorin makinat. Sot kemi 800 mijë udhëtime me makinë, 400 mijë prej tyre janë për më pak se 1 kilometër rrugë. 20 % e qytetarëve janë obezë, shërimi quhet biçikleta.Tirana është në proces transformimi. Çdo investim i ri i Bashkisë, do ketë korsi për biçikleta” ka thënë Veliaj.
Ai ka linçuar edhe festimet që do të bëhen në sheshin “Skëndërbej” gjatë periudhës së Kampionatit Europian, ku sheshi do iu lihet qytetarëve në formën e pedonales.
“Nga muaji tjetër do bllokojmë sheshin “Skëndërbej” dhe do kemi kampionatin e madh të futbollit. Do e kthejmë sheshin në pedonale. Do të jetë festë e madhe për kampionatin evropian’ ka thënë ai.
Këto deklarata Kryetari i Bashkisë i bëri gjatë ceremonisë së përurimit të rrugës së re dhe bashkëpunimit të bashkisë me ambasadën e Holandës sot në aktivitetin e pedalimit me biçikleta në të cilin ishin të pranishëm ambasadorja e Holandës Dewi Van De Weerd.