MARGHERA – Dy shqiptarët nga Maqedonia e Veriut, të arrestuar mbrëmjen e së hënës (25 nëntor) nga policia menjëherë pas vrasjes së 41-vjeçarit shqiptar Van Koxha, në Marghera gjatë një sherri, mbeten në burg.
Dy autorët e dyshuar, sipas mediave italiane, janë Adnan Ramadani, 30 vjeç dhe Imer Imeri, 49 vjeç.
Ndaj Ramadanit rëndon akuza e “vrasjes me paramendim”, si dhe “armëmbajtje pa leje”, ndërsa Imeri akuzohet për zënkë.
30-vjeçari Ramadani ka shfrytëzuar të drejtën për të mos u përgjigjur, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar ka shpjeguar se nuk ka marrë pjesë në përleshjen fizike, por thjesht ka qenë afër.
Deklarata, të cilat gjyqtari hetues Franceschetti, megjithatë, nuk i besoi pas dëshmisë së dhënë nga një efektiv i angazhuar në patrullimin e zonës, i cili ka vënë re dy të arrestuarit duke u larguar nga vendi i ngjarjes.
Avokati mbrojtës i dy shtetasve maqedonas pretendon se Imeri çalon dhe për këtë arsye nuk ka marrë pjesë në sherr.
Përcaktuese mund të jetë autopsia që do të bëhet nesër nga doktor Antonello Cirnelli, si dhe ekzaminimi i armës së sekuestruar nga Adnan Ramadani, një thikë kuzhine 13 centimetra e gjetur por pa gjurmë gjaku.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën e 25 nëntorit. Autorët po e prisnin në rrugë 40-vjeçarin Koxha, të cilin e goditën me thikë për vdekje.
Koxha ishte në shoqërinë e vëllait të tij kur ndodhi ngjarja.
I vëllai mbeti i plagosur lehtë. Krimi ndodhi në një nga të ashtuquajturat “zonat e trafikut të drogës” të Marghera, zonë e cila është shpeshherë skenë e episodeve të dhunshme dhe denoncimeve të vazhdueshme nga banorët në polici për shkak të situatave të degradimit.
/a.r