Parlamenti Europian inkurajon Shqipërinë në ndërmarrjen e reformave, sidomos atë në drejtësi, që e quan të domosdoshme për të hapur bisedimet e anëtarësimit.
Knut Fleckenstein prezantoi para eurodeputetëve draft-raportin për vendin tonë. Në përmbledhjen e shkurtër të raportuesit për Shqipërinë drafti vlerëson reformat e deritanishme të ndërmarra nga qeveria, sidomos ato në fushën e ekonomisë, por këmbëngul për reformën në drejtësi.
Reformës në drejtësi i mëshoi edhe eurodeputeti Eduard Kukan.
“Reforma në drejtësi është jetike për të forcuar shtetin ligjor dhe shpresoj që kur ajo të miratohet të hapë dyert për në BE”, tha Kukan.
Reforma në drejtësi është kushti kryesor, por jo i vetmi.
“Duhet të jemi realistë lufta ndaj korrupsionit, administrata publike, media dhe reforma zgjedhore janë shqetësimet të tjera”, u shpreh Kukan.
Ndërkohë, një eurodeputet bullgar në fjalën e tij qortoi draft-raportin duke thënë se flet pak për minoritetet dhe sipas tij në Shqipëri ka një pakicë bullgare që nuk njihet. /tch