Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u ka bërë thirrje mediave dhe aktorëve publikë që të mos publikojnë përmbajtjen e dosjes 138 që lidhet me goditjen e organizatës kriminale të Suel Çelës që vepronte në Elbasan, ku u vendosën në pranga ish-gjyqtarë, ish-prokurorë dhe avokatë, në kuadër të operacionit që SPAK zhvilloi pak ditë më parë pas zbërthimit të bisedave në SKY ECC.
Njoftimi i plotë i SPAK:
NDALIM PUBLIKIMI TË KËRKESËS SË PROKURORISË, PËRMBAJTJES SË SAJ SI DHE I AKTEVE QË LIDHEN ME ÇËSHTJEN
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u bën thirrje të gjitha mediave dhe aktorëve publikë që të respektojnë Vendimin e Gjykatës se Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), datë 22.11.2024 “Për caktimin e masës së sigurimit personal” për çështjen penale nr. 138 dhe legjislacionin për mbrojtjen e sekretit hetimor. Çdo publikim i paautorizuar jo vetëm dëmton procesin hetimor, por krijon pasoja të rënda për sigurinë e palëve të përfshira dhe integritetin e procesit hetimor.
Në përputhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për të ruajtur sekretin hetimor dhe për të ndaluar publikimin e akteve hetimore, GJKKO në vendimin e saj ka urdhëruar që:
“26. Bazuar në nenin 103 të K.Pr.Penale urdhërohet ndalimi i publikimit të kërkesës së prokurorisë, përmbajtjes së saj si dhe i akteve që lidhen me çështjen deri në përfundim të hetimeve, si dhe ndalohet tërësisht publikimi i këtij vendimi deri në përfundim të hetimeve paraprake.”
27. Mosrespektimi i urdhërimit të përcaktuar në pikën 26 të dispozitave të këtij vendimi përbën vepër penale të përcaktuar në nenin 295/a paragrafi 3 të Kodit Penal, me titull “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”.
Sqarojmë se, pas dhënies dhe marrjes së kopjeve të këtij vendimi nga të hetuarit dhe pala mbrojtëse është vënë re se pjesë të tij janë bërë publike në media, në kundërshtim me urdhrin e gjykatës dhe kuadrin ligjor. Të gjitha personave nen hetim ju është përcjellë kopje e vendimit të gjykatës kundrejt firmosjes së procesverbalit për ruajtjen e sekretit hetimor.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbetet e përkushtuar në garantimin e një procesi hetimor të drejtë, transparent dhe në përputhje të plotë me ligjin, duke mbrojtur të drejtat dhe sigurinë e qytetarëve.
SPAK-u e ka detyrë funksionale, ruajtien e sekretit, e jo media.
SPAK-u, të gjejë fajtorët BRENDA vehtes, e mandej të kërkojë nga të tjerët.
Për mendimin tim, është turp nha SPAK-u, tu kerkojë mediave, ruajtie sekreti.
Fillo nga vehtja, nga SPAKU, pastaj nga POLICIA, e pastaj nga GJYKATAT.
VETËM KËTO TË TREJA, JANË BURIMET KU SHITET E BLIHET INFORMACIONI.
Media po e mori informacionin, duhet ta botojë.
Atë punë kanë.
SPAK të ruajë sekretin.