Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë gjatë ditës së sotme është vizituar nga qytetarë të shumtë në kuadër të festës së 28 Nëntorit, 112-vjetorit të Pavarësisë.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë, Kozeta Halili tha sot për ATSH-në se “gjatë ditës së sotme muzeu u vizitua nga qytetarë të shumtë vlonjatë, por edhe nga qytete të tjera të vendit dhe nga Kosova, Mitrovica, Malii Zi, Presheva, Italia që ndodhen në Vlorë për festën e 28 Nëntorit. Ditën e sotme muzeu do të qëndrojë i hapur nga ora 09:00 – 19:00″.
“Gjatë muajit nëntor muzeu u vizitua nga rreth 3338 vizitorë, duke shënuar edhe muajin me fluksin më të lartë. Nxënësit e shkollave brenda vendit në kuadër të tematikave kulturore patriotike kanë qenë vizitorët më të shpeshtë në muze”, tha Halili.
Drejtoresha e Muzeut Kombëtar të Pavarësisë Halili bëri të ditur gjithashtu se “nga janari deri më sot ky muze është vizituar nga 9390 vizitorë nga Kosova, Mali i Zi, Presheva, Gostivari, Italia, Gjermania, Holanda, Amerika etj.”.
Nga viti 1936 deri në vitin 1939 godina ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Pavarësisë ka shërbyer si muze historik. Pasi kaluan 50 vjet nga vendimi i shpalljes së Pavarësisë, godina u shpall Muze Kombëtar
Muzeu Kombëtar i Pavarësisë në Vlorë prej krijimit e deri në ditët tona, është rritur, plotësuar e konsoliduar si një nga objektet më të rëndësishme muzeale jo vetëm në rrethin e Vlorës, por edhe më gjerë.
Vetë godina dhe gjithçka ndodhet e ekspozuar në të, përfaqësojnë një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në këtë godinë janë hedhur themelet e shtetit shqiptar. Për 6 muaj aty u vendos dhe funksionoi qeveria e Ismail Qemalit, që u krijua pas shpalljes së Pavarësisë.
Në muze janë ekspozuar objekte origjinale të kohës që pasqyrojnë, dokumente të rëndësishme të periudhës së Rilindjes e të Pavarësisë, si dhe vepra të ndryshme arti kushtuar kësaj periudhe.