E ndërsa flitet për hapësira publike dhe për ambiente në shërbim të qytetarëve, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka në shërbim të familjes së tij 3.5 hektarë sipërfaqe (35 mijë metra katrorë). Thënë ndryshe, familja e Nishanit ka në përdorim një hapësirë 9 herë më të madhe me atë që Bashkia e Tiranës kërkon t’iu vendosë në shërbim 200 mijë fëmijëve të Tiranës. Dhe si të mos mjaftonte kjo, për mirëqenien dhe rehatinë e familjes presidenciale janë shpenzuar 1.2 miliardë lekë ose 1 milion dollare.
Brenda një viti, ish-Kryeministri Sali Berisha është kujdesur që ish-Ministri i tij i Brendshëm, Bujar Nishanit, të cilin e zgjodhi me votat e PD në krye të shtetit, t’i miratoje 3 VKM për ta kthyer vilën nr. 4 ose siç njihet ndryshe “vila ne Parkun e Liqenit” në një rezidencë luksoze per familjen. Me VKM datë 24 janar 2013, qeveria vendosi që Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, në buxhetin e miratuar për vitin 2013, t’i shtohet fondi prej 48.8 milionë lekësh të reja, për rikonstruksionin e plotë të vilës nr. 4 në Tiranë.
Për këtë objekt, me një VKM të datës 3 dhjetor 2012, është lejuar Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, si autoritet kontraktor, të përfundojë brenda datës 20 dhjetor 2012, realizimin e procedurave të prokurimit, me objekt “Rikonstruksion i vilës qeveritare nr. 4, Tiranë”. Me vendim qeverie, “shtëpia e pritjes nr.4” (godina) shtrihet mbi një truall 690 metra katror, ndërkohë që territori përreth saj ze një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh. Edhe më parë, ky objekt ka përfituar një shumë tjetër për rikonstruksion. Fjala është për një shifër prej 51.638.144 lekësh të reja që do të përdoreshin nga Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare për rikonstruktimin e plotë të vilës nr.4, e cila njihet ndryshe si Vila pranë Pallatit të Brigadave.
Nëse një investitor privat do t’i hidhte 1.2 miliardë lekë në ndërtim (rreth 1 milionë dollarë ), këto para do të mjaftonin për të ndërtuar një pallat nëntë apo dhjetë kate me sipërfaqe prej më shumë se 2400 metra katrorë, duke marrë parasysh se kostoja zyrtare e ndërtimit, e llogaritur nga qeveria shqiptare, është më pak se 300 euro për metër katror. Por, nëse këtë shumë e merr Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare, kjo shumë shpenzohet vetëm për rikonstruksionin e një vile.
Pra, në total, për rikonstruksionin e plotë janë shpenzuar afro 1 milion dollarë për një periudhë të shkurtër. Ndërkohë, në prag të festës së 100-vjetorit të Çlirimit, qeveria akordoi edhe një fond të posaçëm prej 13 milionë lekësh të reja për rikonstruksion të selisë së Presidencës, duke çuar në total shifrën për vilën dhe selinë në 1.2 miliardë lekë të vjetra.
Kjo është vetëm një nga rezidencat, duke mos llogaritur shpenzimet që janë bërë për vilat ku Presidenti kalon pushimet verore me familjen e tij.